Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përmes një letre ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Luan Hajdaragës, shpreh vlerësimin e tij për “legjislatorin e talentuar”.
Teksa shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të Hajdaragës, ai thotë se figura e tij do të shërbejë si “model për dituritë, energjitë dhe shpirtmadhësinë e tij”.
Ruçi shotë se Hajdaraga, “si një njeri i rrallë i arsimit, kulturës dhe interesit publik, ka dhënë kontribut si rrallëkush për të majtën shqiptare”.
- Presidenti Ilir Meta iu është bashkuar reagimeve ngushëlluese për ndarjen nga jetë të ish-ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga. Përmes një mesazhi kreu i shtetit tregon se si e mësoi lajmin e hidhur për mikun e tij, një nga personalitetet e spikatura të PS. Meta teksa vlerësoi kontributin e Hajdaragat, shtoi se Luani mbetet një nga përkrahësit më të vendosur të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Mesazhi i Metës
Me dhembje të thellë mësova lajmin e ndarjes së parakohshme nga jeta të Luan Hajdaragës, mikut të vjetër dhe të dashur, ish-Ministër, ish-deputet dhe një nga personalitetet më në zë të Partisë Socialiste që në fillimet e saj.
Luan Hajdaraga shquhet për kontributin e tij të konsiderueshëm në Partinë Socialiste, në vitet e para të sfidave të saj gjatë fillimeve të demokracisë në Shqipëri por veçanërisht, si Ministër i Mbrojtjes dallohet kontributi i tij gjatë krizës së Kosovës në vitet ‘99 dhe bashkëpunimit me NATO-n dhe aleatët.
Luani mbetet një nga përkrahësit më të vendosur të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe si Ministër i ngarkuar i Punëve të Jashtme ai dha kontributin e tij të rëndësishëm në këtë proces.
Me humbjen e tij opinioni publik shqiptar humbi një nga analistët më në zë dhe objektivë të çështjeve të sigurisë, atyre të politikës së jashtme, por edhe të problemeve sociale për të cilat ai fliste me pasionin e tij të rinisë.
Familja e tij humbi para kohe një bashkëshort e baba të përkushtuar dhe të gjithë ne, një mik të dashur të cilin do ta kujtojmë gjithmonë me dashuri dhe respekt.
- Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga. Teksa shpreh dhimbje për këtë humbje, Luan Rama thotë se “të gjithë ne; humbëm shokun, mikun, profesorin tonë të pazëvendësueshëm, njeriun qytetar e përherë të angazhuar në sfidat e mëdha të kohëve të vështira nëpër të cilat ka kaluar vendi dhe kombi ynë”.
“Eshtë ndarë nga jeta Profesor Luan Hajdaraga!
Nuk gjej fjalë të përshkruaj dhembjen, veç, ndjej që rëndesa e saj është bërë aq e madhe, sa ishte mirësia e dashuria e fisme dhe e paqtë që ai njeri fali gjithë jetën e vet!
Familja humbi njeriun e vet më të dashur, e të gjithë ne; shokun, mikun, profesorin tonë të pazëvendësueshëm, njeriun qytetar e përherë të angazhuar në sfidat e mëdha të kohëve të vështira nëpër të cilat ka kaluar vendi dhe kombi ynë!
U prehsh në paqe e të ndrittë shpirti shok, mik, vëlla!”