Në 21 qershor 1936, u kurorëzua në martesë lidhja e publicistit të njohur Nebil Çika (i vjetri) me zonjën Elsa Martinelli, shqiptare e Italisë (Arbëreshe). Çifti, shumë i njohur në Tiranën e asaj kohe, pati një bashkëjetesë të shkurtër dhe një fund tragjik.
Nebili, gazetar, botues dhe shkrimtar i shquar, u rrëmbye në shtëpinë e tij në Tiranë nga bandat komuniste, në nëntor të vitit 1944 dhe u pushkatua pa gjyq bashkë me shumë intelektualë të tjerë, në bodrumin e Hotel Bristol në Tiranë.
Elsa (shtetase italiane) u arrestua dhe u mbajt në burg deri në vitin 1946, ku u riatdhesua në Itali me ndërhyrjen e fortë të shtetit italian.
Dy fjalë nga jeta e publicistit të shquar:
Nebil Çika lindi në Borsh, në vitin 1903. Mbaroi studimet në kolegjin francez të Korfuzit dhe studimet e larta në Stamboll. Personalitet i shquar në gazetari, ku drejtoi me sukses gazetën “Arbëria” dhe revistën “Minerva”. Korrespondent i Reuters dhe New York Times.
Shkrimet e tij patën jehonë, duke e cilësuar si shkrimtar të nivelit të lartë për ngritjen e demokracisë. Pushkatohet nga komunistët më 17 Nëntor 1944, në Tiranë.