Të ndihmosh njerëzit në nevojë dhe të neglizhuar, kjo është një mënyrë për të siguruar pasaportën për në parajsë.
Kështu ka thënë Papa Françesku, i cili në meshën e të dielës, u përqendrua tek dita botërore e të varfërve dhe ftoi të pastrehët dhe të papunët, si të ftuar nderi të Vatikanit.
“Në varfëri, ne gjejmë Jezusin, i cili, nga i pasur u bë i varfër. Për këtë arsye, te të varfrit, te dobësia e tyre, ka një fuqi të pazakontë. Dhe nëse në sytë e botës ata kanë pak vlerë, ata janë njerëzit që na hapin ne rrugën për në parajsë, ata janë pasaporta jonë për në parajsë, është një detyrë e shenjtë për ne, të kujdesemi për të varfrit”, tha Papa Françesku.
Ati i Shenjtë e ka bërë mbrojtjen e të varfërve, emigrantëve dhe të nënçmuarve, një nga shtyllat kyçe të papatit të tij dhe rreth 7 mijë njerëz në nevojë ishin ftuar në bazilikën e Shën Pjetrit për meshën speciale të së dielës.
Vetë Papa Françesku, ka hequr dorë nga disa nga privilegjet e papatit, duke këmbyer apartamentet e mëdha në pallatin apostolik të Vatikanit me një banesë modeste në një shtëpi miqsh. Ai po ashtu nuk përdor limuzinën papale dhe qarkullon nëpër romë me një “Ford Focus” të thjeshtë, ngjyrë blu.