Pra Edi Rama (Erdogani pra) ka të drejtë dhe është i bindur në njohjen e madhe që ka për komunitetin e artistëve! Ai do t’ju ndërtojë realisht një teatër të ri!
Besi Bekteshi
Përfundoi në një komedi groteske dhe ajo pjesë e madhe e protestës së aktorëve për Teatrin Kombëtar! Unë personalisht isha i bindur për këtë gjë! Isha i bindur plotësisht për të dikurshmen e aktorëve në regjimin e kaluar dhe në regjimin e sotëm prej 27 vitesh! Në të kaluarën, edhe po të donin nuk kishin se çfarë të bënin dhe do të ishin të ideologjizuar, por dhe në të sotmen tragjike, janë përçarë dhe janë politizuar mes dy forcave të mëdha politike që është pothuaj e njëjta gjë si në diktaturë!
Biles sot politizimi i tyre vjen si pasojë e emergjinalizimit të teatrit, dramës, kulturës kombëtare dhe sigurisht është shumë më keq se sa ideologjizimi i dikurshëm i PPSH-së! Pra unë kam idenë, se bijat politike dhe gjenetike pikërisht të nënës PPSH, janë treguar më të pandershme, më arrogante dhe absolutisht më kundër kulturës kombëtare, se sa nëna e tyre e famshme ideologjikisht e sforcuar dhe e dhunshme! Çfarë nuk dëgjuam nga artistët!
Po na marrin teatrin, Jeruzalemi jonë (toka), po shembin tempullin tonë, po na marrin nëpër këmbë, nuk na pyet askush, do vdesim aty, nuk pranojmë PPP, nuk pranojmë teatrin Fusha, nuk duam teatër të ri, por të restaurojmë të vjetrin, duam të ri, mos na merrni tokën, kemi gjithë njerëzit mbas nesh etj., etj! Ngritën opinionin publik dhe bënë një zhurmë të madhe sidomos disa prej artistëve të mëdhenj të skenës së Teatrit Kombëtar, sa dhe pse e dija se po mbrojnë një godinë jo me vlera arkitektonike, por me vlerën e lojës aktoriale të tyre dhe të shumë e shumë paraardhësve të tyre, shumëkush dhe përgjysëm unë, u bëmë kundër KM-së së Shqipërisë në këtë rast!
Por gjithsesi shikohej qartë përpunimi politik dhe ndërhyrja e saj (politikës) sa e keqe dhe aq “grevëthyese e përfituese”! Deputetë të PD-së që bënin kauzën e tyre teatrin, duke qenë rrënues të teatrit dhe kulturës kombëtare! Merrnin flamurin e teatrit të shembur dhe PPP-së së qeverisë dhe Veliajt dhe e tundnin përpara botës, duke u lejuar nga një komunitet artistësh të përçarë dhe me interesa meskine e të lëvizshme, të lëkundshme dhe të shitshme dhe mbase diku-diku të blera! Shkurt isha i bindur dhe i qartë se jo vetëm do të keqpërdoret kauza, por po dyshoja seriozisht në arsyen reale të dijenive të KM-së së Shqipërisë! Po kuptoja se ai i njeh mirë!
Ai vetë është dashje pa dashje pjesë e tyre! Ata ankohen gjithmonë me të gjithë KM-të e Shqipërisë si me S. Berishën dhe F. Nanon, por Rama është artist vetë e jo vetëm ju njeh logjikën, por dhe emocionet dhe si horizontalen e vertikalen e tyre filozofike! Padyshim që artistët sidomos emrat e lartë të teatrit dhe kinematografisë janë krenaria jonë, por ata nuk mund të jenë realisht përgjigja adeguate dhe e drejtë e modelit teatër të ri, të vjetër, të ruajtur apo të shembur, PPP apo buxhet shteti! Jo nuk mund të jenë, sepse janë filozofikisht pasionantë dhe politikisht të ndarë dyshimshëm!
Më vjen keq, por publiku është konfonduar me ta, ka besuar dhe në fund është zhgënjyer shumë! I kanë bërë një dëm në një farë mënyre besimit të madh në publik kauzës, por gjithsesi ky nuk është faji i tyre, por i kastës politike shqiptare që gjithmonë i keqtrajton! Në fund të fundit si të gjitha komunitetet e tjera të intelektualëve, jo se ka bërë ndonjë gjë veçmas për artistët! Komuniteti i artistëve është i përçarë, kundër njëri tjetrit, i lëvizshëm dhe kjo mjafton të kuptosh se publiku është sa i dëshpëruar dhe i çorientuar dëmshëm!
Por mua mu kujtua një diskurs i madh i Ndrenikës dikur ose më mirë në 11 qershor! Gjithmonë i edukuar, i merakosur dhe padyshim shterrues në idenë e tij, por shumë dyshues se çfarë po bëhej! Para mikrofonit ai thotë se: nuk marrë vesh se çfarë ndodh, kemi qenë te Presidenti na ka dhënë të drejtë, kam shkuar te Kryetari Kuvendit dhe na ka dhënë plotësisht të drejtë, opozita është me ne, jam i bindur se ka shumë në PS që janë me ne. Këtu u bë puna si te Tre Mosketierët që Kardinali Rishelje ishte në vete dhe ato të Mbretit në vete?! Unë i them dhe Prokurorisë ta shohin këtë punë. Pse ja japin firmës Fusha, se ka dhe firma Kodra! Ç’janë këto preferenca?!
Të hetojë prokuroria! Më vjen keq, sepse nuk e kanë përfillur fare komunitetin teatror! Përveç Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit, Kryeministria na ka përbuzur! Ju lutem shumë të hyjmë në bisedime dhe jo kështu gjëra arbitrare! Jo vetëm se “unë dua kështu” sepse vetëm Erdogani i bën këto punë kështu! Më falni dhe mirupafshim! Kjo ishte fjala e të madhit Robert Ndrenika!
Tani mbas disa kohëve sigurisht unë u binda se “Erdogani” paska pasur të drejtë! Pra Edi Rama (Erdogani pra) ka të drejtë dhe është i bindur në njohjen e madhe që ka për komunitetin e artistëve! Ai do t’ju ndërtojë realisht një teatër të ri!
Po po, nuk do ti lërë në krimba dhe merimanga e minj, si deri sot! E patjetër do ta bëjë me formën dhe metodat e tij! Gjithmonë si mendon ai, si ka vizion ai, si i ka ai dijenitë mbi kulturën dhe artin! Pastaj sigurisht duke ditur dhe njohur mirë, nuk ka edhe shumë nevojë të apelojë (pyesë) kaq shumë! Sepse sikundër dhe frati i madh homerik i yni thotë: Më lehtë është me mbledhë një thes pleshta se ti bashkosh dy shqiptarë! Nuk di nëse Erdogani e njeh epikun tonë kombëtar, por Rama sigurisht që po!
Ky është leksion i madh demokracie dhe padyshim dhe jete në një shoqëri që vijon pafundësisht në tranzicion të stërzgjatur! Kur kështu tranden dhe konfuzionohen filozofikisht e politikisht artistë, intelektualë dhe akademikë sigurisht veprimin më të shpejtë dhe mbase më të drejtë e bën “Erdogani”! Mbas disa dekadave pastaj “hajde të diskutojmë” se cili ishte më i qartë “Erdogani”, apo komuniteti i përçarë dhe jo demokratikisht solid!