Kërkesa e partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE është artikuluar dhe mga mazhoranca socialiste, përmes kreut të Komisionit Parlamentare të Ligjeve Ulsi Manja.
Ish kryeministra dhe kryeministri aktual, Presidenti, ish ministra dhe ministrat aktualë, tashmë do të detyrohen të tregojnë pasuritë e tyre. Pasuri që kapin shifra marramendëse dhe ajo që ka ndodhur me gjyqtarët do të jetë “lule” para asaj që do ndodhë me politikën.
Paralajmërimi vjen nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja. Për Klan Plus ai thotë se me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të nisë dhe spastrimi i politikës.
“Byroja kombëtare e hetimit do të ngrihet 2 muaj pas ngritjes së KLP-së. Janë institucione të posaçme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në radhët e zyrtarëve të nivelit të lartë. Këtu nuk ka dallim. Pa dallim.
Do ketë spastrim të të gjithë niveleve të politikës, administratës së lartë nga elementët e korruptuar. Pa dallim. Për këtë e kemi ngritur Spakun. Duroni!”, thotë Manja.
Ndërsa parlamentarët kanë marrë pushimet, Vettingu po vazhdon punën me filtrimin e kandidatëve për KLGJ e KLP. Me s’kualifikimin e një pjese të tyre, kryesisht për shkak se nuk justifikojnë pasuritë, pas shtatorit mund të kemi një rihapje gare për kandidatë të tjerë.
“Në momentin që KPK do të përfundojë procesin e Vettimit me të gjithë kandidatët për KLP e KLGJ, listat përkatëse me ata që e kalojnë, do t’i vihen në dispozicion Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Në rast se do të ketë vakanca sipas niveleve, ligji e ka përcaktuar rishpalljen e garës”, deklaroi Manja. Për të cilin pretendimet për favorizim politik të gjyqtarëve apo prokurorëve të caktuar, janë të pa baza.
“KPK as më shumë e as më pak po zbaton kushtetutën dhe ligjin. natyrisht janë autonomë në vendimarrjen që marrin”, sqaron kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja.