Ka ndodhur në 29 tetor 1998.
Ju Ilir Meta, a e pranoni për grua Monika Kryemadhin? “P…”. Një zile celulari e ka ndërprerë pohimin e Metës, i cili pasi ka parë numrin që e kërkonte e ka mbyllur telefonin, pa i kthyer përgjigje, me gjithë këmbënguljen e dëshmitarit Erjon Braçe, që atë çast i kujtoi: “Mos po të telefononte dikush që do ta kundërshtonte martesën tënde”.
Por, ka qenë dëshmitari tjetër, ambasadori zviceran në Tiranë, i cili këshilloi që Iliri ta linte mënjanë punën, së paku për ato moment.
“Po, e pranoj”- e ka mbyllur frazën Meta. Ndërsa ka qenë edhe më i pabesueshme ndërprerja e pohimit martesor të Monikës, e cila ka ndalur për një çast vrullin për të thënë po, kur janë dëgjuar të shtënat e topave të Hajdaragës. Ministri i Mbrojtjes, ndoshta jo fare rastësisht, ato momente celebronte një nga stërvitjet e shumta të tij me artileri të rëndë.
Sidoqoftë, për koincidencë, apo me paramendim, Meta është figura e dytë politike, pas Zogut, në ceremoninë martesore të së cilit, qëllohet me topa. Ilir Meta zgjodhi një ditë të zakonshme të javës,- me fat për dashin, shenjën zodiakale të të dyve.
29 tetorin ’98 për të ligjëruar 5 vitet e dashurisë dhe 4 muajt prindërore. Në fakt shumëkush u çudit kur pa në dyert e Bashkisë zv/kryeministrin e shoqëruar nga një vajzë, të cilën ia dinin prej kohësh për grua.
Menduan se kishte ardhur për ndonjë vizitë pune, ndonëse Brojka ishte jashtë, por kuptuan arsyen kur dëgjuan shprehjen më normale në botë, për cilindo që shtyn njërën nga dyert e katit të parë: “Dua të martohem”. Dëshmitarë kishin zgjedhur ambasadorin zviceran, mik i ngushtë i çiftit, kryeredaktorin e “Zëri i Popullit” dhe shefin e kabinetit të Metës, Mustafa Muçi.