Ardhja e Daddy Yankee në Shqipëri u prit me kuriozitet nga mijëra shqiptarë, të cilët me dëshirë të madhe pritën këngëtarin e hitit “Despacito”.
Lajmi për ardhjen e tij u bë i ditur dy muaj më parë ndërsa biletat nisën të shiteshin online që në muajin maj.
Blitz.al ka bërë një listë të çmimeve të biletave për të parë koncertin e këngëtarit:
Bileta më e lirë, standarde (rrjedhimisht më larg skenës): 23 euro
Bileta “Golden circle” (pak më pranë skenës): 33 Euro
Bileta “Platinium circle” (me pamje shumë të mirë, pranë skenës): 48 Euro
Bileta “Silver” (VIP): 100 Euro
Sigurisht, edhe paketa të tjera VIP të cilat ishin më të kushtueshme. Ato fillonin nga 1484 Euro (8 persona në tavolinë), 2480 Euro (10 persona në tavolinë), 4976 Euro (12 persona në tavolinë). Në këto paketa përveç pamjes së mirë, ulëseve, personat kishin në çmim edhe një shishe pije alkoolike që ata vetë zgjedhin sipas dëshirës)
Duke pasur parasysh ekonominë shqiptare, një biletë minimalisht 3000 lekë (të reja) mund të konsiderohet e kripur, megjithatë, duke pasur parasysh një artist të kalibrit të lartë, çmimet e biletave justifikoheshin.
…dhe blerja e një bilete në fakt, qëlloi të ishte e vetmja gjë e saktë në organizimin e koncertit.
Përse organizimi i koncertit të Daddy Yankee-it ishte një dështim?
Mirëpo ndryshe nga sa ishte parashikuar dyert për të shkuar në vendin përkatës ku ishin marrë biletat u hapën në orën 21:00. Ledri Vula, reperi i cili do të hapte koncertin, u shfaq në skenë rreth orës 22:00, çka do të thotë se praktikisht njerëzit qëndruan në këmbë për rreth 2 orë, duke mos pasur asgjë për të parë në skenë. Pas performancës së Ledrit, sërish muzikë dhe rreth orës 23:00 del dhe performon Enca, e cila i la radhën një DJ, duke bërë që Daddy Yankee të dalë në skenë në orën 12:00.
Rezultati: Publiku priti prej 5 orësh në këmbë Daddy Yankee-in, krejtësisht ndryshe nga sa thuhej në biletë!
Sikur të mos mjaftonte kjo vendet nuk u respektuan sipas biletës.
Sigurisht, pjesa më e madhe e njerëzve kishin marrë biletat 3000 mijë lekshe, duke qenë se ato ishin biletat më të lira dhe rrjedhimisht më masive. Megjithatë, duke qenë se nga gjithë turma që ishte prezente në shesh, kishte një pjesë të mirë të personave të cilët mezi e kishin pritur Daddy-n dhe e adhurojnë muzikën e tij, kishin paguar biletat më të shtrenjta në mënyrë që ta shihnin më afër këngëtarin e të mund të kishin një vend më të rehatshëm për ta shijuar koncertin, të paktën, kështu kishin menduar kur haxhuan para më tepër të mos blerë biletat standarde.
Por çfarë ndodhi në realitet? Duke qenë se jo shumë persona kishin blerë biletat e shtrenjta, në “sy të botës” (Daddy Jankee-it në këtë rast), organizatorëveve u duhej të bënin sikur kishin bërë një punë të mirë dhe e kishin mbushur zonën më të mirë, çka solli një hapje dyersh për personat të cilët ishin në zonën standarde.
Këta persona, të cilët kishin blerë bileta për 22 Euro zunë vendet më të mira, duke krijuar një turmë mbytëse në zonën më të mirë (aty ku ishte paguar për bileta më të shtrenjta) e duke spostuar në prapavijë të gjithë ata të cilët në fakt meritonin të ishin aty. Më skandaloze ishte fakti se në këtë pikë të shfajqes, edhe persona që nuk kishin paguar fare u bënë pjesë e rreshtave kryesorë pasi dyert u hapën për të gjithë.
Rezultati: Ata që paguan mbi 50 euro e shijuan koncertin nga një pamje më e largët, ata që paguan 22 euro e shijuan koncertin gati-gati të hipur në skenë. Në fakt, ne shqiptarët nuk çuditemi shumë nga këto veprime hajdutësh, sepse kjo gjë,ndodh rëndom në stadiume a koncerte të tjera ku pas 10 minutave të para, hapen dyert për të mbushur plot vendet që janë të lira, duke bërë që personat të cilët paguajnë të ndihen budallenjtë e shekullit.
5 orë në këmbë deri në daljen e Daddy-t, spostimi i personave që paguan më shumë në vijën e prapme dhe sikur të mos mjaftonte gjithë ky acarim, një pjesë e mirë e njerëzve rrezikuan realisht të vdisnin. Pasi dyert u hapën në orën 21:00, njerëzit rendën drejt stendave të pijeve nga lodhja në pritje. Por në stenda shitëset lajmërojnë se për një defekt në sistem nuk mundeshin të jepnin pije, kështu që të gjithë mbetën pa blerë asgjë ndonëse paguan për disa byzylykë në formë krediti.
Ndërkohë personat të cilët kanë paguar paketat VIP, dhe brenda çmimit kishin të përfshirë edhe një shishe pije alkoolike, nuk arritën ta merrnin sepse sipas organizatorëve kishte një problem në sistem.
Gazetarja Fatma Haxhialiu ka shkruar në profilin e saj:
Të pranishmit në koncert, pasi nuk kishin pirë as edhe një pikë ujë për më shumë se 6 orë (e ku shembulli flagrant është një vajzë që pati gjendje të fikti), iu desh të përdornin edhe forcat e fundit për të përdorur zërin, për të kërkuar paratë e tyre, të cilat nuk u përdorën, ndërkohë që ata persona të cilët të frustruar nuk mund të duronin më të sqaronin situatën, u larguan nga koncerti duke humbur një sasi parash në kreditet e famshme prej byzylyku që organizatorët mesa duket i kishin vënë për të vjedhur e jo për të shërbyer.
Sigurisht kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë, por është e trishtueshme, tejet dekurajuese që një event i cili pritet me zemër në dorë nga adhuruesit e muzikës të kthehet në tmerrin e atyre që ishin të pranishëm, të cilët harxhuan kohë dhe para, u spostuan si dele në pjesë të ndryshme të sheshit pa u respektuar pozicioni i tyre në biletë, u lanë pa një pikë ujë edhe pasi paguan për të marrë këtë shërbim, e në fund pas gjithë maratonës sfilitëse nuk morën mbrapsht as paratë e tyre, duke bërë që organizatorët të kryenin një vjedhje direkte nga xhepat e tyre me shumë stil.
Një pyetje kemi ne, a mund të kemi vallë ndonjë kujtim nga performanca e Daddy Yankee-it që aq shumë e pritëm? Do të kemi, ato dy postime në Instagram që kanë hedhur të gjithë të pranishmit, ndërkohë që shija e përdorjes dhe e zhvatjes nga organzitorët nuk besojmë se do të largohet ndonjëherë dhe sa e shëmtuar që nuk kemi në dorë të bëjmë asgjë për këtë, veçse t’i premtojmë vetes se nuk do të bëhemi më kurrë pjesë e organizimeve të tilla në Shqipëri.”