Presidenti Ilir Meta rrezikon të hedhë në erë marrëveshjen e re me Greqinë. Ditën e premte ai dha sinjale se nuk do të miratojë paktin pa u ngritur Gjykata Kushtetuese, e cila do të jetë garant nëse ka probleme. Por nëse ndodh kjo, me shumë gjasë brenda këtij viti nuk do ketë pakt Shqipëri-Greqi. I gjithë problemi qëndron te Gjykata Kushtetuese, e cila ka mbetur me 1 anëtar. Edhe pse vetingu ka përshpejtuar procedurat, kjo gjykatë nuk ngrihet dot brenda këtij vitit. Që Gjykata Kushtetuese të funksionojë, duket që të jetë në gjendje Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Ky organ ka 9 anëtarë dhe 4 prej tyre kanë ngelur në veting, ndërsa po ashtu mes 5 të tjerëve pritet të ketë emra që largohen, pasi disave u kanë dalë aferat dhe publikisht dhe madje janë kërkuar masa disiplinore nga Ministria e Drejtësisë. Kjo do të thotë se lind nevoja për të zgjedhur emra të rinj për vendet vakante. Sipas ligji, KED ka anëtarë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe prokurorisë. Bashkim Dedja është në apel dhe nëse ai sharrohet, nuk ka përfaqësues nga Gjykata Kushtetuese, cila ka dy vende në KED. Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që kanë mbarur Shkollën e Magjistraturës janë automatikisht kandidatë për KED.
Në total ky numër shkon në 129. Ligji detyron Presidentin të hedhë shortin dhe nga 129 emrat të zgjedhë 9 anëtarë, por në këtë rast vetëm emrat e vendeve vakante. Deri më tani Presidenca e ka refuzuar shortin dhe ja ka kaluar Kuvendit. Problemi qëndron se me short do zgjidhen emra që nuk kanë hyrë akoma në veting. Arsyeja që sot KED nuk po merr vendim është se anëtarët e saj nuk kanë kaluar vetingun.
Kur të zgjidhen emra të rinj ata duhet që të futen në veting dhe ky proces merr më tepër se 3-4 muaj kohë dhe asnjëherë nuk ka garanci se ata do e kalojnë procesin. Edhe sikur të dalin në rregull, do duhet kohë që të zgjidhen anëtarët e Kushtetueses dhe të konstituohet gjykata. Pra sipas sinjaleve, brenda këtij viti me shumë gjasë Kushtetuesja nuk ngrihet.
Pakti i detit
Përshpejtimin e procedurave për Gjykatën Kushtetuese e ka vetë Presidenti Ilir Meta. Sot KED ka 5 anëtarë dhe Kuvendi ka kërkuar nga Meta që të rihidhet sa më shpejt shorti, në mënyrë që të nisë vetingu. Por Presidenti ka refuzuar Gramoz Ruçin, duke i thënë se KED ende mund të marrë vendim. Por që të merret vendim duhet që të pestë emra të jenë në një mendje, gjë që është e vështirë.
Pra duket kreu i shtetit po jep sinjale për të mbajtur artificialisht të bllokuar KED. Kjo sjellë zgjatje të ngërçit në Kushtetuese dhe për sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, Meta do mbajë të bllokuar paktin e detit. Nëse hidhet që tani shorti për KED, atëherë KPK ka mundësi që të nisë menjëherë vetingun dhe në fund të vitit të dalë me rezultate, por Presidenti po e mban peng procesin. Çështja e detit ka krijuar përplasje mes qeverisë e presidentit.
Ky i fundit e ktheu tre herë ministrin Ditmir Bushati për autorizimin, ndërsa tani ka ndërprerë kontaktet me të. Sa më shumë zvarritet pakti, aq më shumë jepen sinjale se po synohen pazare. Vjeshta do sjellë zhvillime të shumta pasi duhet të zgjidhen kreu i KLSH dhe i Bankës së Shqipërisë. Por për të dy emrat duhet konsensus mes kryeministrit dhe presidentit, që do të thotë se pa pazare këto institucione rrezikojnë të mbeten të bllokuara. Sinjalet janë se Meta si paktin e detit ashtu dhe dekretin për kreun e SHISH, i mban si “fishekë” të fundit përballë mazhorancës.
Kliti Topalli