Sa herë politika kërkon në mënyrë taksative, me këmbëngulje t`i plotësohet një kërkesë, qoftë ajo edhe një kryeneçësi e rastit që i ngjan tekave të një fëmije apo sa për të qenë brenda me programin për të mbajtur ndezur përplasjet mes palëve politike dhe për të dërguar një mesazh inkurajimi militantëve, sillet në ndihmë deklarata se: -Jemi gati për luftë civile, revolucion, protestë madhore, marrshim të pandalshëm nëpër rrugët e qytetet e Shqipërisë.
Në këto tre dekada, deklaratat për revolucion dhe marshim epokal për të mposhtur kundërshtarin politik dhe për ta detyruar atë që të kthehet pas në nismat apo reformat politike, ekonomike apo investimeve të mëdha aq herë kërcënimi është hedhur në ditë për diell pa hezitim si një thirrje kobzezë.
Liderët e politikës e kanë kthyer kërcënimin me “luftë civile” në mënyrë jetese dhe as duan t`ia dinë për efektet që ngjall në opinionin e gjerë shoqëror dhe në radhët e popullit thirrja për luftë. Nuk ka rëndësi në se do jetë luftë e vërtetë apo imagjinare. Përplasje mes ushtrive të militantëve apo forcave politike. Do mbetet në rrafshin teorik apo do zbatohet në praktikë.
Realiteti shqiptar sipas historisë sonë shumëshekullore nuk ka një rast të vetëm që Shqipëria të ketë kaluar ndonjë luftë civile. Populli e ka shmangur këtë katastrofë që shoqërohet me lumenj gjaku dhe mbjell urrejtje që nuk shuhet kurrë. Edhe pse është tentuar shumë herë, edhe pse janë bërë përpjekje të pandërprera nga koka të nxehta e politikanë mendjeshkurtër e të pagdhendur, askush nuk ka ngritur armë apo dorë kundër kundërshtarëve politikë për diferenca ideologjike apo besime fetare e ndarje pasurore.
Përkundrazi, shqiptarët i kanë përbuzur thellësisht përpjekjet e ndërmarra nga politikanë të veçantë të cilët kanë synuar të arrijnë qëllimet e tyre, duke përplasur popullin ose krahinat kundër njëra tjetrës. Për të gjithë janë të njohura thirrjet për kundërvënie mes veriut dhe jugut në vitin 1996-1997. Kujtojmë këtu kamionët ushtarakë, të nisur me vullnetarë të mobilizuar me forcë e dredhi po që asnjëri nuk pranoi të kryejë akte të tilla të cilat nuk janë pranuar kurrë nga shqiptarët. Përkundrazi, uniteti dhe vëllazërimi kanë qenë shtylla vertebrale e egzistencës së vendit tonë në shekuj, në përballje për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale sa herë që fuqi të ndryshme kanë dashur të gllabërojnë atdheun tonë.
E njejta histori edhe ndaj qëndrimeve dhe veprimeve të këtushme sa herë që politika ka synuar të vendosë përballë qytetarët e këtij vendi. Askush nuk ka pranuar të veshë këmishën e forcës. Të rrëmbejë armët e të vritet me komshiun, lagjarin, bashkëfshatarin, bashkëqytetarin, këtu brenda vendit edhe në skajet më të largëta ku jetojnë shqiptarë. Përkundrazi, sa herë është dashur, kanë lidhur besën për bashkim dhe solidaritet kur është nevoja të qëndrojnë përballë kujtdo që ka synuar të trazojë shpirtrat e shqiptarëve. Leksioni është historik dhe real. Lufta civile është e panjohur mes shqiptarëve, të cilët e kanë konsideruar njëri -tjetrin vëlla të një gjaku. Përpjekjet për të vendosur pyka mes shqiptarëve, kanë dështuar dhe kështu do ndodhi në jetë të jetëve.
Përpjekjet për të sjellë shembuj nga historia për simptoma të luftës civile janë kthyer në bumerang për ata që i kanë iniciuar. Askush tek ne nuk ka pranuar të bëhet mish për top për interesa të palëve politike. Kohët e fundit, termi “lufta civile” dhe thirrja për një aventurë të tillë është shpeshtuar në leksikun e liderëve të partive politike. Në harkun kohor të një viti nga PD dhe kryetari i saj Lulzim Basha dhe tërë rekuizita që e rrethon nga ish kryeministri Sali Berisha, veçanërisht gjatë ditëve të “Revolucionit çadrist” në tre muajt e ngujimit kemi dëgjuar dhjetëra herë deklarata për luftë civile, revolucion, përmbysje, dhunë, hakmarrje, ultimatume gjithfarësh, denigrime, nxitje për shkatërrime, thyerje, prerje e gjakosje.
Përballë çdo nisme në këtë periudhë një vjeçare ka sunduar kërcënimi. Në plan të parë është vendosur shantazhi. Deklaratat kanë qenë të tipit taksativ:- Nëse nuk merret parasysh kërkesa jonë, ju pret lufta! Do përplaseni me katastrofën. O bëni atë që u kërkojmë, ose nuk ka marrëveshje! Mbetet i vetmi opsion përballja. Përplasja. “Do ta shikoni Kavajën”, thërriste Lulzimi para zgjedhjeve në këtë qytet. Do ta bëjmë shembull qytetin e demokracisë. Atje do ketë gjak. Ne do qëndrojmë. Do rezistojmë. Ose qeveri teknike, ose nuk ka ndalim të revolucionit. Binduni ose do e pësoni! Dëgjoni zërin opozitar, ndryshe do merrni në qafë Shqipërinë.
Kërcënimet nuk mbetën vetëm brenda çadrës. Thirrjet për revolucion na kanë shoqëruar në mënyrë permanente tërë këto kohë. I dëgjuam tek ngjarjet e “Rrugës së Kombit” si manipuloi PD dhe LSI me protestuesit. Si u hakërrye dhe nxiti turmat në rrethimin e parlamentit në dhjetor 2017. Në betejën në sallën e kuvendit. Atje ku u provuan të gjitha armët që zotëronte opozita për të ndalur zgjedhjen e Prokurores së përkohshme të Përgjithshme. Po jo vetëm atje në atë sallë, kudo në fjalimet e përbetimet opozitare dëgjohen kërcënimet ekstreme dhe deklaratat për luftë.
Thirrjet për rrafshim e përmbysje, për coptim, për fundosje, për asgjësim të atyre që qëndrojnë përballë. Dhe në këtë furi e turravrap nuk ka asnjë pendim apo reflektim. Dhe ajo që të habit është zhurma për ti paraqitur edhe rastet pa vlerë si probleme kombëtare e shumë herë edhe si të përmasave ndërkombëtare.
E përfshirë në një betejë gati një vjeçare, opozita ka vënë një bast me vetveten. Teatrin Kombëtar. O bëhet ajo që kërkon opozita ose nuk ka zgjidhje tjetër. Fillimisht bashkë me aktorët, derisa u sqaruan problemet dhe u kthjellua opinioni i gjerë se përse opozita ka ndërmarrë këtë aksion me valencë ekstreme dhe përse përdor përditë fjalor luftarak dhe kërcënime ekstreme se do rrafshojë jo teatrin po politikën. Dhe vetë Basha mori përsipër të lëshonte bubullimën: – Nëse Presidenti dekreton ligjin na pret lufta civile. Jemi në pres të briskut. Do ta shikoni! Do e mësoni! Do e provoni! Do e pësoni! Dhe kreu i opozitës, veç përdorimit të sloganit “luftë civile”, këtë kërcënim e adresoi edhe tek Presidenti i Republikës Ilir Meta.
Unë nuk gjykoj vendimin e Metës. Ai është në të drejtën e tij ta kthejë ligjin. Të mos miratojë vendime të qeverisë. Të përballet me parlamentin. Të thotë jo. Të heshti. Të thotë po. Është në të drejtën e tij të vendosë sipas Kushtetutës dhe ligjit organik të funksionimit të Presidencës. Po nuk besoj se kthimin e ligjit për teatrin e ka bërë nga frika e shpërthimit të ndonjë lufte civile. Mazallah që ne shqiptarët të vritemi për pupulitin dhe dërrasat e godinës së teatrit të vitit 1938. Se për vetë teatrin, si art e kulturë nuk të falim. Po për disa mure nuk do ia vlente të përgjakeshim. Ne nuk u përplasëm në vitin më të mbrapshtë 1996, kur u vodhën masivisht votat.
Nuk u përplasëm kur sheshi “Skëndërbej” u përskuq me gjakun e protestuesve që kërkonin drejtësi për vjedhjen masive të votave në majin 1996. Nuk u goditëm pasi u vranë në atë vit tragjik mbi 4.000 shqiptarë. Nuk u përplasëm në ndeshjet e mëdha të 21 janarit 2011, ku në mes të bulevardit u vranë nga shteti katër civilë. Në përballjet e mëdha të vjedhjes së pronës publike e shkatërrimit të ushtrisë e gjithë strukturave të shoqërisë tonë. Nuk u përplasëm në luftë civile, kur mbi kryet tona fluturonin “MIG-ët” me urdhër nga shtabi i gjendjes së jashtëzakonshme për bombardimin e jugut të revoltuar. Dhe jam besimplotë se nuk na ka lënë ende mendja e kokës të copëtohemi për ca mure që nuk përfaqësojnë asgjë, veç janë sebepi që përdor opozita për t`i kthyer në kauza të luftës anti shtet si të ishin themelet e kalasë më të rëndësishme të vendit.
Nëse do kishte një motiv, vërtetë kaq të rëndësishëm, jemi të bindur se këtë do ta kërkonin së pari aktorët, të cilët janë sot më të bindur se kurrë se nuk është një godinë ajo që iu duhet mbrojtur, po është vetë politika ndaj kulturës dhe artit e artistëve në përgjithësi, që nuk duhet lënë mënjanë interesa madhore të aktorëve dhe zhvillimin me çdo kusht të artit dhe kulturës.
Po kjo kauza me teatër është një pretekst. Që nuk do shumë mund e mend për t’u kuptuar. Edhe deklarata për luftë civile dhe kapardisja e liderit të opozitës që e mendon veten Zeusin e Shqipërisë, të plotfuqishëm, që ka në dorë edhe paqen edhe luftën të na kërcënojë se e kemi luftën në prag të derës. Lufta civile është një shpikje e liderit të PD, Lulzim Basha si gjithnjë që kurse nisi të bëjë politikë. I prirur drejt ekstremizmave. Përpjekja për t’u dukur i vlerësuar nga militantët, ai e ka kthyer në metodë pune që kërkon ekstremet.
Flet si për kozmosin. Premton si për ufot. Deklaron sipas shijeve dhe oreksit të pangopur të atyre që e rrethojnë. Po nëse Lulzim Basha kërkon të shpalli luftë civile ai e di se kjo nuk mund të ndodhë. Vëllazërim civil po. Bashkëpunim civil po. Shoqëri civile patjetër. Po jo luftë mes civilëve shqiptarë që janë të gjithë kushërinj me njëri tjetrin. Në popull ky merak nuk është. Bile përcillet me buzë në gaz thirrja e Bashës. Me nënqeshje. Shpresoj që edhe vetë Presidenti Ilir Meta të mos ketë pasur një argument të dhjetë për kthimin e ligjit për rishqyrtim, ta ketë bërë me frikën e një lufte civile që do nisi lideri i PD, Lulzim Basha?!
Po edhe nëse e ka pasur këtë merak nuk na mbetet gjë tjetër, veç ta përgëzojmë si popull, unitetin e të cilit ai përfaqëson si mbi palët. Faleminderit Presidenti Meta! Na e kurseve nga luftën civile me mosmiratimin e ligjit për teatrin!/Nga Bardhyl BEJKO