Kjo që ka ndodhur sot i kalon kufijtë e qesharakes, kur Voltana Ademi dhe Xhelal Mziu, në cilësinë e kryetares dhe nënkryetarit të Shoqatës së Bashkive me 15 bashki që drejtohet nga Partia Demokratike, i kanë dorëzuar një letër Presidentit Ilir Meta, për t’i kërkuar atij të dalë kundër ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, i cili kërkohet nga 72 aktorë dhe artistë të njohur shqiptarë.
Skema është e njëjtë: si dikur me kundërshtitë absurde për të ndaluar këndin e lodrave për fëmijë të Liqeni, kur ish presidenti Bujar Nishani u angazhua personalisht për prishjen e tij, sot Xhelal Mziu dhe Voltana Ademi, kryetarë bashkie të Kamzës dhe Shkodrës, shkojnë tek Meta kundër Teatrit… në Tiranë!
Këto ditë, Shkodra e Kamza janë dy qytetet që përfliten më shpesh në kronikat televizive për probleme me plehrat dhe përmbytjet.
Madje, Kamza cilësohet si qyteti i mbuluar nga plehrat, të cilat nuk pastrohen për javë të tëra, e qytetarët zënë hundët nga kundërmimi i erës së qelbur.
Kurse, Shkodra me një vesë shiu korriku, dy ditë më parë u përmbyt, uji vërshoi nëpër dyqane, biznese, rrugë e shtëpi, duke shkaktuar shumë dëme për banorët shkodranë.
E megjithatë, Xhelali dhe Voltana kane luksin të merakosën për teatrin e Tiranës! Po se ç’punë kanë këta të dy me ndërtimin e Teatrit të ri në Tiranë, vetëm ata mund ta shpjegojnë.