Dy muaj para zgjedhjeve parlamentare të vitit të shkuar, nën firmën e ish-kryeparlamentarit Ilir Meta, Kuvendi miratoi ligjin për ndërtimin e të ashtuquajturës “Kulla Ikonike” në Tiranë e cila përllogaritej me lartësi 350 metra dhe kapte vlerën e 250 milionë dollarëve.
Kulla me sipërmarrës të projektit kompaninë “Al Habtoor Investment LLC”, asaj kohe mori miratimin e Metës si dhe firmën e ish-presidentit Bujar Nishani që e dekretoi menjëherë pa marrë parasysh debatet në sferën publike. (shiko faksimilen)
Ndërkohë, sot jemi në kushte thuajse të barabarta, ku ish-kryeparlamentari që sot mban postin e kreut të shtetit, i është dashur të marrë një vendim mbi çeljen ose jo të “dritës jeshile” për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar.
Por këtë herë, edhe pse çështjet kanë ngjashmëri me njëra-tjetrën, Meta ka renditur disa argumente të reja që nuk u shtruan në rastin e kullës përgjatë “Bulevardit të ri”.
“Ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Ligji nr. 37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë. Propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik”, nënvizohet ndër të tjera në komunikatën publike të presidencës që mban vulën e kreut të shtetit Ilir Meta.
Në këtë rast kemi dy vendime të cilat trajtohen me dy standarde dhe për më tepër rezultatet bien ndesh me njëra-tjetrën.
Nga njëra anë kemi: Ligji Nr. 56/2017 “Për negocimin e marrëveshjes ndërmjet shtetit shqiptar dhe Kompanisë “Al habtoor Investment llc” për projektimin dhe ndërtimin e “Kullës Ikonike” në Tiranë” u miratua pa kryer procedurat të kërkuara sot nga kreu i shtetit, duke i hapur rrugë një investimi me shumë pikëpyetje për mënyrën sesi operoi.
Projekti në fjalë nuk u diskutua sipas kohës së nevojshme dhe nuk u bënë transparente pasqyrat financiare që do të implementonin projektin. Por ndër të tjera, si në rastin e Teatrit Kombëtar, kompania arabe depozitoi një kërkesë për të kërkuar 25 mijë m2 sipërfaqe publike duke e konvertuar në disa ambiente për institucione.
Nga ana tjetër kemi: Ligji nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, për të cilin kërkohen procedura të pa kërkuara në rastin e parë.
Çudi si në atë kohë, ish-kryeparlamentarit i kanë shpëtuar detajet ligjore, debatet publike, transparenca mbi detajet, duke dhënë firmën përtej çdo akuze dhe dyshimi të ngritur në opinionin publik.
Më poshtë gjeni faksimilet e dy vendimeve të marra njëherë nga Meta kryeparlamentar dhe njëherë nga Meta president. /TemA