Nga Mimoza Ibra
Reforma në drejtësi pritet të shkaktojë tronditje. Që pas miratimit të kësaj reforme dhe nisjes së zbatimit, të shumta kanë qenë dilemat nëse tanimë do të nisej nga puna edhe për rihapjen e dosjeve të mëdha të bujshme, midis të cilave mund të përmendim “21 Janarin”, “Gërdecin”, aferën e rrugës Durrës-Kukës apo edhe aferën e CEZ. Pritshmëritë e publikut shqiptar janë që këto afera të rihapen me qëllim zbardhjen e tyre të plotë.
Madje edhe deputetë të Partisë Socialiste janë shprehur shpesh për mediat se nëse nuk ka një rigjykim për këto dosje, atëherë nuk mund të quhet se po bëhet reformë në drejtësi. Por teksa kjo reformë është futur në një fazë vendimtare dhe nga momenti në moment pritet të ngrihen edhe organet e reja, sa e mundur është ligjërisht që hapja e dosjeve të bujshme të arrihet?
Me ligjet e reja që janë hartuar janë dy rrugë që pritet të ndiqen për të rihapur “Gërdecin”, “21 Janarin”, apo aferën me rrugën Durrës-Kukës: Ose do të gjenden prova të reja, ose të hartohet një ligj i posaçëm për këtë pikë, i cili i jep më pas fuqi prokurorisë që të nisë nga puna për rihapjen dhe rihetimin e dosjeve të lartpërmendura. Gazeta kontaktoi ditën e djeshme me avokatin Saimir Vishaj, i cili deklaroi se ligji i ri i hyrë në fuqi dy vite më parë nuk e parashikon rihapjen e dosjeve. Por më tej shtoi se nëse ekziston dëshira, atëherë mund të krijohet një ligj specifik për rihapjen e çështjeve të mëdha.
“Me ligjin e ri nuk munden të hapen më dosjet për të cilat është vendosur pushimi ose mosfillimi i çështjeve penale. Kështu thotë ligji numër 35 i cili ka hyrë në fuqi në datën 1 gusht të vitit 2017. Sepse nuk ka më kompetencë prokurori më i lartë për të shfuqizuar vendimet e prokurorit më të ulët.
Me një ligj të posaçëm edhe mund të bëhet një gjë e tillë, por ligjërisht nuk mund të hapen sepse vendimet e pushimit dhe mosfillimit aktualisht me ligjin e ri goditen përpara gjyqtarit të seancës paraprake. Por ndërkohë afati i ankimimit të këtyre çështjeve ka mbaruar me ligjin e ri”, deklaroi kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj.
Rruga e dytë
Rruga e dytë që pritet të ndiqet për të bërë realitet rihapjen e aferave të mëdha është zotërimi i provave të reja. Nëse organi i akuzës vihet në lëvizje për të gjetur prova të reja ose një person sjell prova të cilat do të çonin në rigjykim dhe do të sillnin zhvillime të reja, atëherë riçelja e dosjeve do të ishte e mundur. Këtë rrugë të dytë e bëri të ditur për gazetën “SOT” avokati Sokol Hazizaj. Gjatë reagimit të tij, Hazizaj theksoi se një gjë e tillë është e përcaktuar tek Kodi i Procedurës Penale. “Kodi i Procedurës Penale e parashikon mbi bazën e provave të reja mundet të rifillojë një çështje e cila është pushuar. Kur ka prova bindëse që i vlerëson organi procedural i hetimit dhe gjykata, mundet që për atë provë të bëhet hetimi gjyqësor dhe ai procedural”, u shpreh konstitucionalisti Sokol Hazizaj.
Ja dosjet e bujshme që mund të hapen
Momentalisht ka shumë dosje të bujshme që janë mbyllur, ose autorët e vërtetë nuk kanë shkuar në gjykatë . Për “21 janarin” prokurori dështoi me hetimet për një prej të vrarëve. Po ashtu për Gërdecin pati shumë probleme dhe nuk shkuan dosjet në gjykatë për autorët e vërtetë, ndërsa afera tjetër është ajo e rrugës Durrës-Kukës, ku i akuzuar është Lulzim Basha. Po ashtu ka dhe shumë dosje ku akuzohen ish-ministra të PD. Një dosje flagrante është ajo e shitjes së detit, ku Adriatik Llalla i pushoi hetimet. Momentalisht prokuroria ka në dorë aferën e CEZ, e cila ka ngecur. Po ashtu prokuroria ka mbyllur shumë kallëzime për lejet e ndërtimit të dhëna nga Basha. Por sipas juristëve,rrugët për rihapjen e tyre janë të hapura kjo do të thotë se autorët e vërtetë të “Gërdecit”, “21 Janarit” dhe aferave të tjera do dalin para drejtësisë.