Prodhohen në perferi të Tiranës, nga kanaçet e shkrira
Dekoratat dhe medaljet që akordohen, dekretohen dhe jepen me ceremoni e bujë zyrtare nga Presdenti i Republikës, kur shiten me shumicë qenkan malli më i lirë në treg, pasi kushtojnë aq lekë sa nuk do ta besoni, por kështu është në inventarin e depos së Presidencës.
Kushton vetëm 217 lekë të reja, ose sa 1 kg. gjizë, 1 copë metali me ngjyrë e qujtur dekorat e medalje, pas të cilëve shumë individë në Shqipëri, harbohen e tërbohen, inskenojnë, lodhen e paguajnë sekserë deri sa ta marrin e të dalin në televizor, ta shënojnë në “CV”, ta varin në gjoks nëpër takime zyrtare, ta vendosin kornizë në mur, ta publikojnë në faqen e “FB” dhe ta lënë amanet, për t’ua dhënë me vete në… varr!
Këtë çmim prej 217 lekë të reja, 1 copë dekoratë e konfirmon kontrolli i KLSH, sipas të cilit Presidenca e drejtuar nga Bujar Nishani është gjendur në rregull me koston blerjes së tyre tek privati, por ka tejkaluar planin vjetor të dhënies, në masën 169%, tejkalim që po thellon edhe pasardhësi Ilir Meta, duke e çuar në masën 210%.
Këto medalje e dekorata që akordon Presidenca, deri në vitin 2014 porositeshin në Turqi, ndërsa prej 4 vitesh ato janë prodhim “markë” shqiptare, të porositura tek një punishte-fonderi metalesh me ngjyrë e cila, pasi ka prodhuar stampat për çdo model dekorate e medaljeje që jepet në Shqipëri, i derdh ato me aluminin që del nga shkrirja e kanaçeve e më pas, i vesh me tesktilin e dekoruara për secilin model!
Kujtojmë, që në Shqipëri janë 465 institucione dhe ente shtetërore, 2320 OJF, parti, shoqata qytetesh e fshatrash, biznese, sindikata, universitete e kolegje arsimore private, që shpërndajnë dekorata e medalje me shumicë, të cilat prodhohen në perferi të Tiranës, me aluminin që del nga kanaçet e shkrira!
Sipas librit të inventarit, rezulton se në depon e Presidencës janë gjendje 4210 copë dekkrata e medalje, prandaj ndoshta jepen me “thasë”, duke kënaqur e çuar në delir madhështie, ata që i kërkojnë…/Pamfleti