Dosja e tjetërsimit të 58 hektarëve tokë në bregdetin e Spillesë shkon drejt gjykimit. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë u zhvillua të premten seanca paraprake e kalimit për gjykim të akteve të dosjes së Spillesë.
Nën akuzë për tjetërsimin e tokës shtetërore në bregdet, ranishte dhe pyll, janë 9 ish-zyrtarë publikë vendorë, të cilët përmes shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve kaluan në pronësi të shtetasve të ndryshëm sipërfaqe të konsiderueshme të bregdetit të Spillesë, në Kavajë.
Prokuroria e këtij Rrethi Gjyqësor nisi procedimin penal ndaj tyre që në maj të vitit të kaluar. Në bazë të hetimeve, Prokuroria e Kavajës vuri nën sekuestro fillimisht 36 ha, e pas verifikimeve edhe 22 hektarë të tjerë.
Kjo është çështja më e bujshme e hetuar nga organi i akuzës së Kavajës, për shkak të dëmit publik të shkaktuar dhe numrit të madh të të akuzuarve, ish-zyrtarë publikë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Kavajë dhe pranë Njësisë Administrative Kryevidh, në territorin e së cilës ndodhet e gjithë sipërfaqja e tjetërsuar e plazhit të Spillesë.
Së shpejti pritet që Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë të kalojë për gjykim edhe dosjen ndaj kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë e punonjësve të kësaj bashkie për shpërdorim detyre dhe abuzime në plazhin e Spillesë, si dhe çështjen në ngarkim të biznesmenit Idlir Karkini, për pastrim produktesh të veprës penale e posedimin në mënyrë abuzive të 9.000 m2 në ish-Repartin Ushtarak, Poligonin e Qitjes në fshatin Rreth-Greth të Kavajës, shkruan TCH.