Është quajtur akt heroik ndërhyrja që shqiptari nga Kosova, Andi Krasniqi 23 vjeç bëri të martën në qytezën De Panne, në Belgjikë.
Edhe pse rrezikoi jetën e tij, i riu shpëtoi një grua te moshuar, me aftësi të kufizuara që kishte mbetur brenda në një shtëpi që po digjej në rrugën Kasteelstraat të De Panne-s, raporton Het Laatste Nieuws (HLN).
Vetëm pasi u futa brenda, e kuptoja se çfarë rreziku kisha ndërmarrë. Kam shpresë se ajo do ta rimarrë veten’, thotë Andi.
I riu shqiptar është punonjës në dyqanin Idealhome në De Panne. Ai, rreth orës 14:30, pa se nga një apartament afër vendit ku punonte po dilte tym.
‘Nuk kam menduar dy herë’, rrëfen Andi.
‘Unë shkova drejt e në shtëpinë që po digjej, por nuk mund të hyja fillimisht brenda, kështu që shkova në dyqanin pranë shtëpisë.
Zonja aty sapo kishte thirrur shërbimet emergjente dhe më tha se fqinji i saj ishte ende brenda. Ajo më dërgoi nëpër një korridor deri në derën e shtëpisë së djegur’, ka thënë Andi.
Zonja që punonte në dyqanin afër shtëpisë së djegur, e cila preferoi të mbetej anonim, nuk guxoi të hynte brenda për shkak se e konsideronte veten në rrezik të madh. Mirëpo jo Andi. Ai u fut brenda në shtëpi.
‘Ishte tmerrësisht nxehtë brenda dhe dëgjova banoren që thërriste për ndihmë. Me shpresën se do ta gjeja atë brenda, papritmas ndjeva krahun e saj’, ka thënë shqiptari nga Kosova, Andi Krasniqi.
Me gjithë vështirësitë ai e kapi në krah për ta tërhequr jashtë shtëpisë gruan me aftësi të kufizuara.
‘Gruaja nuk lëvizte dhe ishte mjaft e rëndë. Pastaj e zhvendosa atë deri në rrugë’, rrëfen Andi.
Gjithashtu edhe një fqinje tjetër në lagje, gruaja Muriel Vanëalleghem dhe një banor tjetër lokal i dolën në ndihmë Andi Krasniqit.
‘Kur arrita, Andi e kishte nxjerrë gruan jashtë shtëpisë. Kur e nxorëm deri në rrugë, ambulanca dhe zjarrfikësit sapo kishin arritur. Ajo që Andi ka bërë është një akt i vërtetë heroik.
Pak persona do guxonin të hynin vetëm në një shtëpi të djegur duke rrezikuar jetën e tyre’, thotë ajo.
E plagosura me inicialet J. D., 76 vjeçe ndodhet aktualisht në qendrën spitalore në Neder-Over-Heembeek dhe ka pësuar djegie të rënda dhe helmim nga tymi.