Përpos ish-presidentit Bujar Nishani dhe ish-kryetares së Kuvendit Jozefina Topallit, një grup deputetësh në Komisionin e Ligjeve kanë pasur rol vendimtar për zbatimin e strategjisë së Sali Berishës, për të emëruar njerëzit e tij të besuar në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, pak para se të rrëzohej nga pushteti.
Ashtu si anëtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza, sot në prag shkarkimi për shkak të lidhjeve me krimin, fshehjen e dënimit në Itali dhe fshehjen e pasurisë, edhe Gani Dizdari, i cili sipas Vetingut ka fshehur pasurinë dhe ka kontakte me krimin, është emëruar në Gjykatën Kushtetuese falë koordinimit të Berishës, Nishanit, Topallit dhe një grupi deputetësh në Komisionin e Ligjeve, pak para zgjedhjeve të 2013.
Skema është e njëjtë: Nishani ka propozuar kandidatin, Komisioni i Ligjeve e ka miratuar me shpejtësi, Berisha ka bindur deputetë e PD për ta votuar, ndërsa Topalli është kujdesur për votimin final.