Prej dy ditësh në media është publikuar fakti se si dy drejtuesit e protestës kundër ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, Kastriot Çipi dhe Robert Budina, janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Rrethit Tiranë për akuzën e vjedhjes së fondeve të filmave.
Ata kishin arritur të përfitonin 8.8 milion lekë fonde nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë për realizimin e filmit dokumentar me titull “Film i këputur”, të cilin nuk e realizuan kurrë, duke përvetësuar paratë.
QKK-ja i kallëzoi në gjykatë me shpresën që dy personat të kthenin mbrapsht paratë, plus kamatëvonesat në masën 21.2 milion lekë.
Por, edhe pse gjykata ia kalon urdhërin e ekzekutimit Zyrës së Përmbarimit të Rrethit Tiranë, kjo e fundit ka vendosur ta pushojë çështjen.
Arsyeja? Nuk kanë pasuri për shlyerjen e detyrimit! (më poshtë, faksimile e kthimit të përgjigjes nga Zyra e Përmbarimit). Pra, në emër të regjisorit Kastriot Çipi nuk rezulton e regjistruar asnjë pronë.
Që do të thotë se regjisorët e teatrit, të dënuar nga gjykata me kthimin e shumës së përvetësuar, plus kamatëvonesën, kanë refuzuar të kthejnë paratë e vjedhura, duke kaluar pronat në emër të familjarëve të tyre, për të shmangur (me një hile të vogël) zbatimin e urdhërit nga Zyra e Përmbarimit.
E meqë jemi në frymën e Vettingut, natyrshëm lind pyetja: Po të kishte vetting për “artistët” kundër teatrit, a do ta kalonin këta vettingun?