Polici i sigurisë së Gjykatës së Durrësit dhe avokati, të cilët u arrestuan me akuzën e marrjes së ryshfetit për të ndërhyrë në çështje gjyqësore në qytetin e Durrësit u mbajtën në përgjim prej gati 5 muajsh. Telefonatat e përgjuara prej muajit shkurt e deri në qershor me persona të ndryshëm, kanë qenë provat e pakundërshtueshme që kanë vënë në pranga punonjësin e policisë Haki Dyli. 60-vjeçari me detyrë shërbimi për sigurinë e godinës së Gjykatës së Durrësit merrte para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve pa dijeninë e këtyre të fundit, duke mashtruar qytetarët dhe duke u premtuar se çështja gjyqësore do të zgjidhej në favor të tyre. Përgjimet kanë nisur në muajin shkurt që kur është regjistruar procedimi penal ndaj tij. Në përgjimet e kryera janë transkriptuar thirrje telefonike që Dyli ka kryer me disa persona, një pjesë e të cilëve ishin emigrant në Itali. Dyli prezantohej si ndërmjetës dhe u premtonte se do t’i ndihmonte në procesin e tyre gjyqësor kundrejt pagesave që shkonin deri në 2 mijë euro. Burime nga organi i akuzës thonë se kanë qenë të paktën 5 raste ku në përgjime polici dëgjohet duke biseduar me persona qe kanë qenë në proces gjyqësor. Të njëjtat burime thonë se në dy raste Dyli u mundësonte qytetarëve që pagesat t’i kryenin me këste. Punonjësi i policisë Haki Dyli u ndalua së bashku me 40-vjeçarin Devis Qana me profesion avokat. Ata pritet të dalin në gjykatën e Durrësit ku do të njihen me masën e sigurisë. Ka qenë denoncimi i një personi që ka bërë prokurorinë e qytetit bregdetar të vihej në lëvizje dhe të hetonte në lidhej me aktivitetin që ushtronte avokati Devis Qana dhe inspektori, Haki Dyli. Ky i fundit është nga Bregasi i Gramshit dhe baba i dy fëmijëve, ndërsa avokati Qana është me origjinë nga Berati, por prej vitesh jeton dhe ushtron profesionin e tij në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, hetimi për dy të arrestuarit ka nisur disa muaj më parë dhe janë kryer hetime me anë të metodave speciale të hetimit. Këto metoda konkludojnë në përgjime telefonike dhe ambientale, të cilat kanë vërtetuar, sipas hetuesve që dy të arrestuarit kanë kryer veprën penale për të cilën edhe po hetoheshin. Sipas burimeve, në fillim është bërë këqyrja e telefonatave dhe pasi është krijuar dyshimi i arsyetuar se dy personat nën hetim, kryenin një aktivitet të kundra-ligjshëm, më pas grupi hetimor, ka vendosur të bëjë edhe përgjime ambientale, për të parë lëvizjet e tyre dhe personat që ata takonin.
Denoncimin e bëri kryetarja e gjykatës
Gjykata e Durrësit ka reaguar pas arrestimit të policit pranë Gjykatës së Tiranës, Haki Dyli, mbrëmjen e kaluar, pasi dyshohet se ushtronte ndikim të paligjshëm te gjyqtarë dhe prokurorë duke marrë para. Gjykata e Durrësit sqaron se arrestimi i policit është bërë për llogari të procedimit penal të nisur mbi bazën e kallëzimit të kryetares së kësaj gjykate, Joana Qeleshi. Kallëzimi është bërë pas dyshimeve se punonjësi Haki Dyli merrte para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa dijeninë e tyre, duke ju premtuar dhe mashtruar qytetarë mbi zgjidhjen në favor të tyre të çështjeve gjyqësore. “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës njofton se ndalimi më datë 10.07.2018 i punonjësit ë policisë̈ Haki Dyli, caktuar me detyrë shërbimi në sigurinë̈ e godinës së gjykatës nga Policia e Shtetit, është bërë për llogari të procedimit penal të nisur mbi bazën e kallëzimit të Kryetares, Znj. Joana Qeleshi. Kallëzimi u krye nisur nga dyshimet se punonjësi policisë̈ Haki Dyli merrte para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa dijeninë̈ e këtyre të fundit, duke u premtuar dhe mashtruar qytetarët mbi zgjidhjen në favor të tyre të çështjeve gjyqësore. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës dënon me forcë çdo veprim të paligjshëm të kryer në dëm të qytetarëve dhe punonjësve të drejtësisë, duke treguar vendosmëri në denoncimin e çdo rasti të ngjashëm, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit, shtetit të së drejtës dhe rritjes së besimit të publikut në sistemin e drejtësisë. Gjykata i bën thirrje kujtdo të cilit mund t’i jetë premtuar apo kërkuar çfarëdolloj shpërblimi i paligjshëm në emër të gjyqtarëve, prokurorëve apo administratës gjyqësore, të paraqesë kallëzim”, u shpreh gjykata e Durrësit menjëherë pas arrestimit të policit./Elvis MYRTA