Opozita i ka drejtuar sytë tek mazhoranca qeverisëse dhe po shpreson për një rikthim të paktit të 17 majit. Teksa vendi udhëhiqej nga marrëveshja historike e 17 majit, qeveria u shndërrua në “teknike” dhe pjesë drejtuese u bë edhe Partia Demokratike. Ndërkohë gjatë asaj periudhe vetë Lëvizja Socialiste për Integrim ishte tashmë në qeveri sepse ishte aleate e Partisë Socialiste. Mirëpo duket se opozita e ka “shijuar” shumë një situatë të tillë dhe kjo ka bërë që ditët e fundit të nxjerrin në skenë një kërkesë për krijimin e një qeverie me bazë të gjerë. Nëse realizohet një gjë e tillë, kjo do të thotë se pjesë e qeverisjes do të jenë edhe eksponentë të Partisë Demokratike, edhe të LSI, edhe të Partisë Socialiste. Pra, do të kemi të bëjmë me një bashkëqeverisje, por këtë herë me forcat politike kundërshtare. Një kërkesë e tillë është artikuluar për herë të parë nga deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu në fund të qershorit, ndërsa linjën e tij ndoqi dje edhe deputeti i LSI, Shezai Rrokaj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se për të zgjidhur të gjitha ngërçet e krijuara në shoqërinë shqiptare duhet të krijohet një qeveri stabiliteti me bazë të gjerë. “Ja pse duhet një Qeveri Stabiliteti me bazë të gjerë. Reforma në drejtësi ka paralizuar disa institucione kushtetuese dhe po jep shenja të dukshme njëanshmërie. Së dyti, mosndëshkimi i peshqve të mëdhenj që nga ministrat e deri te bosët e drogës, si rasti i Maminasit e i Toyota Yaris-is. Së treti, varfëria ekstreme, ku rreth 50% e popullsisë jetojnë me nën 5$ për frymë në ditë si dhe rritja e pabarazisë sociale. Së katërti, mungesa e investimeve të huaja serioze dhe tendenca në rritje e biznesit vendas për të investuar jashtë. Së pesti, përqendrimi i parasë publike te një grusht oligarkësh, duke deformuar rregullat e konkurrencës me skema e dyshimta si ajo e PPP-ve”, tha ai.
Kërcënimi me zgjedhjet vendore
Deputeti i LSI, Shezai Rrokaj e vijoi më tej reagimin e tij duke “kërcënuar” se nëse nuk krijohet një qeveri e tillë, atëherë zgjedhjet vendore janë të pamundura, duke lënë të nënkuptojë se edhe LSI nuk do të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor. “Në këto kushte zgjedhjet vendore janë të pamundura. Ndaj mendoj se përgjegjësia kombëtare duhet të prevalojë mbi egoizmin politik partiak dhe se pa humbur kohë është e nevojshme krijimi i një Qeverie të Stabilitetit, e cila do të kishte për mision: Të përmirësonte ndjeshëm treguesit e mësipërm, do të përgatiste zgjedhje të pakontestuara, ku zgjedhjet vendore të bëheshin njëkohësisht me ato politike si dhe do të krijonte kushte reale të besueshme për çeljen e negociatave”, deklaroi Rrokaj. Kujtojmë që pak ditë më parë gazeta raportoi se edhe Partia Demokratike ka paralajmëruar bojkot të zgjedhjeve vendore. Ndërkohë, ky paralajmërim erdhi vetëm 10 ditë pasi deputeti demokrat kishte artikuluar për herë të parë kërkesën për qeveri stabiliteti me bazë të gjerë. Një deklaratë të tillë ai e bëri gjatë një interviste televizive të dhënë në 30 qershor. “Kur rrëzohet objektivi kryesor për një vend, kryeministri duhet të japë dorëheqjen. Që këtu fillon reflektim, që kur çdo gjë mbulohet me sofizma, nuk mund të korrigjojmë provimin. Duhej që kryeministri të jepte dorëheqjen, të krijohej një forcë unike në negociata me një program të qartë, me një mbështetje të gjerë. Qeveria është në një moment që duhet të justifikojë ikjen masive jashtë, këto janë shifra të frikshme”, theksoi ai. Këto deklarata të deputetëve të PD dhe të LSI të bëjnë të kuptosh se të dyja forcat opozitare kanë një plan të ri të përbashkët: krijimin e një qeverie me bazë të gjerë, pjesë e së cilës të jenë edhe vetë. Dhe që kryeministri Edi Rama ta pranojë një ofertë të tillë, ata po kërcënojnë se nuk do të futen në zgjedhjet vendore. Pra, po përsëritet e njëjta ngjarje si një vit më parë kur PD kërcënonte kryeministrin se nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare nëse nuk krijohej një qeveri teknike. Duhet thënë se kampi blu e arriti qëllimin e saj një vit më parë, por akoma nuk dihet se çfarë do të ndodhë me rastin konkret. /Mimoza Ibra