Shpresat e opozitës së bashkuar PD-LSI për një qeveri me bazë të gjerë i kanë venitur deputetët e Parisë Socialiste. Ditët e fundit deputetë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë nisur të mendojnë dhe të shprehen në publik për një kërkesë të re ndaj qeverisë. Ata njëzëri kërkojnë që të krijohet një qeveri stabiliteti me bazë të gjerë, pjesë e së cilës të jenë edhe ata vetë. Sipas tyre, përmes kësaj qeverie do të krijojnë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do të rregullojnë ekonominë dhe të gjithë sektorët e tjerë publikë, si dhe do të pengojnë eksodin e të rinjve nga vendi. Por kjo kërkesë është përballur me kundërshtinë e Partisë Socialiste. Deputetët socialistë shprehen kategorikisht kundër një mundësie të tillë, ndërsa nuk kanë kursyer edhe sulmet ndaj opozitarëve. Fillimisht, ka qënë deputeti i PS Vlorë, Andrea Marto, i cili ditën e djeshme gjatë një prononcimi për gazetën “Sot”, është shprehur se përmes kësaj lëvizje minoranca parlamentare, kërkon alibi për të ardhur në pushtet. Sipas tij, binomi PD-LSI ndodhet në ditë të vështira, pasi nuk ka alternativë për t’ua paraqitur qytetarëve. “Nuk gjykoj se ekzistojnë arsye për qeveri me bazë të gjerë. Opozita e pasiguritë për të ardhmen e saj, duke mos qënë e aftë të paraqes alternativë qeverisëse bindëse, kërkon alibi. Në maj të 2019 janë zgjedhjet vendore dhe urgjente është Reforma Zgjedhore”, deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Andrea Marto, ndër të tjera në fjalën e tij.
Çela: Tepsixhinjtë i pret vetëm ndëshkimi
Në të njëjtën linjë me kolegun e tij, Andrea Marto, ditën e djeshme është rreshtuar edhe deputeti tjetër socialist, Bujar Çela. Madje, ligjvënësi i Fierit ka qënë më i ashpër se Marto. Gjatë një prononcimi për gazetën “Sot”, ai akuzoi Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokratike e po hedhin idenë e qeverisë me bazë të gjerë, pasi nuk kërkojnë të ngjiten në pushtet. Sipas tij, kjo kërkesë është thjeshtë manovër për t’u katapultuar tek “tepsia” e shtetit. Megjithatë, Çela ishte i prerë kur paralajmëroi se tepsixhinjtë siç e quan ai PD-LSI, i pret vetëm ndëshkimi, për vuajtjet që i kanë shkaktuar popullit gjatë kohës që kanë qënë në pushtet. “Unë mendoj se nuk është lëvizje por manovër për të ardhur në pushtet. Sepse po ju mbarojnë rezervat se këta janë mësuar të ushqehem mirë dhe me pretendime! Është hilja e përsëritur e mama dhisë, a si quhet Lëvizja Socialiste për Integrim që vdes për një Çik pushtet dhe lyen këmbën me miell! Bashkëqeverisjen se vendosin as ata që janë në opozite, por as udhëheqja e PS, por aleati i kësaj qeverisje VOTUESI, i cili na i ka caktuar këto pozicione ! Unë ndjej respekt vetëm për këta dhe detyrë për të gjithë ne që kemi duart në timon me vullnetin e tyre ! Tepsia e gjitha vetëm për popullin dhe ndëshkim për të gjithë të tjerët që luftojnë të vonojnë reformën ne drejtësi dhe integrimin ne Bashkimin Europian”, deklaroi deputeti i PS, Bujar Çela. Pak ditë më parë, deputeti tjetër, Bujar Çela theksoi gjithashtu, se është kundër një marrëveshje të dytë Rama-Basha, ndërsa shtoi se ndërkombëtarët duhet të “thumbojnë” opozitën, me qëllim që kjo e fundit të reflektojë dhe mbështesë hapjen e negociatave. “Absolutisht joooo! Jam dakord me thirrjen por ndërkombëtaret duhet ti shkulin veshin kësaj opozite llumi, që çdo dite po i bind shqiptarët se nuk përfaqëson asgjë”, deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela. /Rigels Seliman