Marrëveshja e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë vijon të mbetet e panënshkruar. Pavarësisht se u tha se pritej që ky pakt të finalizohej në 10-ditëshin e parë të korrikut gjatë një takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij grek, Aleksis Tsipras, një gjë e tillë duket se do të vonojë edhe pak.
Megjithatë ministri socialist u shpreh besimplotë se shumë shpejt do të kemi produkte konkrete nga bisedimet.
“Nuk është një proces i lehtë. Ka rezistencë politike në të dy anët, qoftë në Shqipëri, qoftë në Greqi, por besojmë se me vendosmëri dhe vullnet politik të qartë në një të ardhme të afërt do të kemi produktet konkrete qoftë për këto marrëveshje qoftë për pjesën tjetër të paketës që ne po diskutojmë me Greqinë”, tha ai.
Bushati shtoi më tej se pikat gri kanë të bëjnë me çështje politike që vijnë nga segmente të caktuara në Tiranë ashtu edhe Athinë, të cilat ose preferojnë status-kuonë, ose janë kundër një perspektive të përbashkët evropiane të Shqipërisë dhe Greqisë.
Bushati nuk foli me emra, por opinioni publik e kuptoi fare qartë se janë pikërisht Sali Berisha dhe Ilir Meta dy bllokuesit kryesorë të kësaj marrëveshjeje me kundërshtimet e tyre të herëpashershme. Berisha me deklaratat e tij mediatike dhe Meta me qëndrimin e tij zyrtar si president, duke u justifikuar se nuk është informuar sa duhet, duket se kanë vendosur ta bllokojnë marrëveshjen, e cila për BE është kusht për integrimin.
Sidomos pas deklaratave të BE që integrimi i Shqipërisë varet nga lufta e qeverisë ndaj korrupsionit, për çka u kërkua dhe arrestimi i peshqve të mëdhenj, Berisha-Meta kanë interes që Shqipëria të mos çelë negociatat, ndaj po bëjnë ç’është e mundur për ta realizuar këtë skenar bllokimi.
Megjithatë, Bushati u shpreh optimist për arritjen e marrëveshjes me fqinjët grekë.
“Ne besojmë se me vullnet dhe duke u mbështetur tek parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe fryma evropiane ne do të kemi mundësi që të vijojmë të hedhim hapa solid përpara me Greqinë, qoftë paketës që ka lidhje me detin ashtu dhe përsa i përket elementëve të tjerë të paketës që janë të një rëndësie thelbësore për marrëdhëniet mes dy vendeve tona”, shpjegoi në vijim ministri i Jashtëm.