Rreth 70 persona kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave të larta që goditën provincën e Kebekut në Kanada, javën e shkuar dhe shifra është konfirmuar tashmë nga zyrtarët e shëndetësisë.
Situata sipas departamentit të shëndetësisë në Kebek është kthyer në normalitet. CBC thotë ndërkohë se morgu i Montrealit nuk kishte më vende dhe i dërgonte trupat e viktimave në një kompani funeralesh për t’i mbajtur atje gjatë valës së të nxehtit.
Sipas zyrtarëve, të gjitha viktimat e të nxehtit ishin mbi moshën 60 vjeç dhe vuanin nga sëmundje kronike. Temperaturat e larta dhe lagështia nisën në Kebek të dielën e kaluar dhe në Montreal shkuan rreth 20 gradë më të larta se mesatarja për këtë periudhë të vitit.
Me të nxehtin e madh ndërkohë po përballet edhe Kalifornia në SHBA dhe pjesë të tjera në jugperëndim të vendit, me temperatura rekord të regjistruara në Los Anxheles. Kërkesa e madhe për energji elektrike ka mbingarkuar rrjetin elektrik dhe mijëra vetë kanë mbetur pa energji.