Dy drejtuesit e protestës së Partisë Demokratike për teatrin, Kastriot Çipi dhe Robert Budina, rezultojnë të dënuar për vjedhje fondesh të filmave me vendim të formës së prerë.
Gazeta ka zbuluar vendimin e marrë nga Gjykata e Rrethit Tiranë, e cila i shpall dy protagonistët e protestës kundër ndërtimit të teatrit të ri, Kastriot Çipin dhe Robert Budinën, si përvetësues të shumës prej 8.8 milion lekësh dhe fajtorë për moszbatimin e një kontrate me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK).
Sipas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Tiranës (gazeta zotëron një kopje), Çipi dhe Budina kanë përfituar një fond nga QKK-ja për realizimin e filmit dokumentar me titull “Film i këputur”.
Ky film, i cili mendohej të ishte me metrazh 60 minuta, “u këput” ende pa u nisur dhe nuk u realizua kurrë nga dyshja Çipi-Budina, edhe pasi këta kanë tërhequr 8.8 milion lekët e akorduara nga QKK-ja.
Në këtë situatë, QKK-ja i është drejtuar menjëherë Gjykatës së Rrethit Tiranë me një kallëzim penal për Çipin dhe Budinën, të cilët janë shpallur fajtorë me akuzën e vjedhjes së fondit.
Por, në dyert e gjykatave dhe zyrës përmbarimore, dy personat në fjalë i janë shmangur në vazhdimësi zbatimit të vendimeve gjyqësore, duke mos e kthyer kurrë shumën për të cilën janë dënuar.
Si nisi çështja?
Çështja në fjalë e ka zanafillën kur dy regjisorët e mësipërm nëpërmjet shoqërisë “ARTEMEDIA FILM” shpk aplikuan dhe fituan rreth 11 milionë lekë për realizimin filmit dokumentar “Film i këputur”, prodhim elektronike – BETACAM, 60 min i gjatë, me skenar dhe regji të Kastriot Çipit.
Midis QKK-së dhe dy të dënuarve u lidh një kontratë financimi për realizimin e këtij filmi.
Në këtë kontratë u përcaktuan të gjitha të drejtat dhe detyrimet e palëve dhe kundrejt këtij financimi “ARTEMEDIA FILM” shpk në cilësinë e producentit kishte detyrimin që të organizonte prodhimin e filmit, sipas skenarit letrar të paraqitur.
Në kuadrin e detyrimeve, sipas kësaj kontrate, për prodhimin e filmit QKK-ja do të paguante një shumë të hollash në vlerën 11 milion lekë.
Pagesa do të bëhej në tre këste, ku kësti i parë i lëvruar ishte në masën 8.8 milion lekë, ndërsa këstet e tjera do të paguheshin më vonë.
Por, pavarësisht këtyre detyrimeve, Çipi dhe Budina morën lekët dhe nuk e realizuan kurrë filmin, për të cilin përfituan nga fondet e taksapaguesve shqiptarë.
Në vendimin e gjykatës, theksohet se: “Në ecurinë e realizimit të kësaj kontrate, nga pala e paditur është paraqitur një kërkesë me shkrim e datës 30.6.1999 sipas të cilës përfaqësuesi i saj, Robert Budina kërkon një zgjidhje me mirëkuptim të kontratës dhe gjithashtu thekson se granti është rikthyer në llogarinë e Q.K.K, ku bashkangjitur kësaj shkrese, sipas tij, duhej të ishte dhe konferma bankare që të vërtetonte një fakt të tillë. Kjo konfermë nuk ndodhet e paraqitur si provë dhe as bashkangjitur kësaj shkrese, gjë e cila përkon me faktin që nga pala e paditur është kërkuar vazhdimi i mëtejshëm i kontratës nëpërmjet një deklarate angazhimi të datës 15.12.1999 e nënshkruar nga Kastriot Çipi, me cilësinë e administratorit të palës së paditur”.
Pra, siç edhe bën të ditur gjykata, Kastriot Çipi dhe Robert Budina kanë pretenduar para saj se e kanë kthyer shumën e përfituar nga QKK-ja, por nuk kanë qenë në gjendje ta vërtetojnë atë, duke kryer një shkelje tjetër ligjore: mashtrimin e gjykatës.
Vendimi i Gjykatës
E ndodhur në këto kushte, kur nga Çipi dhe Budina nuk janë përmbushur detyrimet e tyre kontraktore, QKK-ja i është drejtuar sërish gjykatës duke kërkuar kthimin e shumës së akorduar, kamatvonesave dhe penaliteteve të tjera. Nga provat e paraqitura në gjykim, gjykata e ka gjetur të drejtë kërkesën e QKK-së, ndaj ka vendosur pranimin e kërkesëpadisë dhe detyrimin e palës së paditur, “ARTEMEDIA-FILM” shpk, me drejtues Çipin dhe Budinën, të përmbushë kundrejt palës paditëse “Qendra Kombëtare e Kinematografisë”, detyrimin që rrjedh nga kontrata, i llogaritur në masën 30 milion lekë (8.8 milion lekë shuma e akorduar + 21.2 milion lekë penalitet).
Odisea me përmbarimin
Më vonë, QKK-ja me kryetar aktorin e njohur Xhevdet Ferri, përmes një shkrese kërkon lëshimin e urdhërit të ekzekutimit të vendimit gjyqësor. Sipas kësaj shkrese, Gjykata e Rrethit Tiranë me vendimin e saj nr. 1910, datë 05.04.2006, ka pranuar padinë e ngritur nga QKK-ja dhe ka vendosur që Çipi dhe Budina t’i paguajnë QKK-së shumën e akorduar në masën 8.8 milion lekë, kamatëvonesat në masën 21.2 milion lekë, si dhe përballimin e shpenzimeve gjyqësore në masën 640 mijë lekë.
Vendimi i mësipërm ka marrë formë të prerë dhe si rrjedhim ka cilësinë e titullit ekzekutiv. Por, rreth 1 muaj më vonë, në datë 20.06.2006, QKK-ja i drejton një kërkesë Zyrës së Përmbarimit të Rrethit Tiranë për zbatimin e Urdhrit të Ekzekutimit të datës 22.05.2006 të Gjykatës së Rrethit Tiranë.
Por, këtu ndodh edhe çudia e radhës: Në përgjigje të kërkesës, Zyra e Përmbarimit Tiranë i bën të ditur QKK-së se ka vendosur ta pushojë urdhrin e ekzekutimit sepse të paditurit, pra Çipi dhe Budina, nuk kanë pasuri për shlyerjen e detyrimit. QKK-ja ka bërë edhe një përpjekje të fundit për të marrë mbrapsht fondin e përvetësuar nga dyshja Çipi dhe Budina, por pa sukses. Mandej, drejtori i QKK-së i asaj kohe, Artan Minarolli, ka vënë në dijeni edhe ministrin e Drejtësisë së kohës, Bujar Nishani, e prej tij vetëm heshtje.
Edhe sot e kësaj dite, Kastriot Çipi dhe Robert Budina, rezultojnë si të dënuar për vjedhje nga shteti shqiptar me akuzën e përvetësimit të fondeve publike, që akordohen për realizimin e veprave artistike.