“Forca e Ligjit” ka filluar verifikimet e pasurisë për shumë grupe kriminale në vend.
Kjo Task-Forcë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda prej muajsh kanë zbritur në Elbasan.
Në një dokument të siguruar ekskluzivisht nga Report TV, Prokuroria e Krimeve të Rënda po kalon në “sitë” pasuritë e Çapjave dhe disa personave të tjerë, pasi dyshohet se jane vendosur me trafik ndërkombëtar droge.
Bëhet fjalë për hotele, vila dhe toka, të cilat po verifikohet nëse e justifikojnë burimin e të ardhurave.
Mes personave që po i verifikohet pasuria janë:
Arian Çapja
Florenc Çapja
Bledar Muça
Enver Çapja
Fejzullah Çapja
Erion Çapja
Vladimir Çapja
Ermira Kushi
Ymer Koseni
Sajmir Serjani
Fatmir Koseni
Dokumenti i cili mban datën 30 maj 2018, tregon se hetimi pasuror ka filluar prej muajsh dhe se tashmë po mblidhen të dhënat për çdo pasuri që kanë këta persona në Elbasan, por edhe në qytetet e tjerë.
Hetimi pasuror për familjet në Elbasan, vjen në një kohë kur Ministri I Brendshëm Fatmir Xhafa është shprehur se do të goditen të gjitha grupet kriminale, jo vetëm në Elbasan por në të gjithë Shqipërinë. Verifikimi pasuror ka nisur me indicie të “Task-Forcës”, por edhe për faktin se nga të dhënat paraprake ka rezultuar se familja Çapja në disa prej bizneseve të saj ka dalë me humbje, ndërkohë që mendohet se fitimet kanë qenë shumë të mëdha.
Dyshimet e Task-Forcës dhe Prokurorisë janë që këto pasuri nuk justifikojnë burimin e të ardhurave dhe mund të kenë ardhur trafiku i drogës. Elbasani është një ‘vatër’ e nxehtë ku shpesh herë ka pasur përplasje dhe atentate ndaj fisit Çapja, por nuk ka pasur veprime konkrete për arrestimet apo sekuestrimet e pronave, ndërkohë që ‘Forca e Ligjit’ pritet që të dalë me rezultate konkrete në fund të hetimeve. /Report tv