Qeveria i ka qëndruar deri në fund masës së saj për kontrollimin e mënyrës sesi raportohen statistikat duke lënë në fuqi gjobat në projektligjin “Për statistikat” të depozituar tashmë në në Kuvend. Pak kohë më parë drafti u nxorr për konsultim të gjerë dhe më pas në 31 janar kaloi në qeveri pa ndryshime. Dënimet me gjoba lidhen me forcimin e cilësinë dhe kredibilitetin e të dhënave kombëtare por në sy bien edhe masat për ata që “spiunojnë” tek ndërkombëtarët.
Shprehimisht projektligji sanksionon se ” Për rastet e dërgimit të të dhënave zyrtare institucioneve ndërkombëtare nga ana e agjencive statistikore, pa njoftimin e INSTAT-it, dënohet me gjobë deri në 50 000 lekë. Për rastet e përsëritura, gjobat janë nga 50 000 lekë deri në 250 000 lekë për çdo shkelje. Për shkeljet e kryera nga institucionet publike gjoba i jepet titullarit të institucionit”.
Gjithashtu dënohen me gjobë personat që japin të dhëna konfidenciale ndaj të tretëve për qëllime kërkimore. Moszbatimi ose shkelja e kërkesave të konfidencialitetit nga nëpunësi, përfshirë këtu dhe kohë kur ai ka lënë detyrën, ose nga një palë e tretë, së cilës i është dhënë e drejta për qëllime kërkimore, dënohet me gjobë nga 200 000 lekë deri në 300 000 lekë, përcaktohet në projektligj.
Gjobat janë parashikuar edhe për persona që pengojnë transmetimin e të dhënave që rrjedhin si detyrim nga ligji i ri.
“Moszbatimi ose shkelja e kërkesave për mosnjoftimin e përgatitjes së projektakteve, që mund të ndikojë veprimtarinë statistikore apo të pengojë transmetimin e të dhënave administrative për qëllime statistikore, përbën shkelje të rëndë disiplinore sipas legjislacionit për nëpunësin civil dhe titullari i institucionit dënohet me gjobë nga 50 000 lekë. Për rastet e përsëritura, gjobat janë nga 50 000 lekë deri në 250 000 lekë për çdo shkelje. Për shkeljet e kryera nga institucionet publike, gjoba i vendoset titullarit të institucionit.
Projektligji i ri i jep të drejtën e vendosjes së gjobave Drejtorit të Përgjithshëm, kur të dhënat ose informacioni duhen dërguar në INSTAT.
Gjoba vihet gjithashtu nga drejtuesi i agjencisë statistikore, kur të dhënat janë kërkuar nga agjencia statistikore përkatëse.
Kundër vendimit të gjobës mund të bëhet ankim tek drejtori i Përgjithshëm brenda 10 (dhjet) ditëve nga data e shpalljes ose e botimit të gjobës, i cili duhet të përgjigjet brenda 30 ditëve. Kundër vendimit të drejtorit të Përgjithshëm ose kur ai nuk përgjigjet, personi i interesuar mund t’i drejtohet gjykatës brenda 30 ditëve nga data e shpalljes s vendimit ose nga mospërgjigjja.