Ka përfunduar faza e 1/8-ave për ndeshjet e Botërorit dhe që tani të gjithë dini se cilat do të jenë skuadrat kryesore të cilat do të luftojnë për titullin kampion në këtë turne.
Ne kemi menduar që të bëjmë pak më të thjeshtë këtë rrugëtim drejt finales së madhe, duke ndërtuar “Bursën e Botërorit”.
Kjo është renditja jonë e momentit për skuadrat në Botëror në bazë të rezultateve dhe formës që kanë paraqitur, një klasifikim i cili do të përditësohet pas çdo ndeshje të mbetur për të mbërritur në finalen e korrikut.
RENDITJA E SKUADRAVE
Belgjika – Padyshim që mund të konsiderohet tek kombëtaret e vetme që ka arritur të bindë me lojën e saj gjithmonë në Botërorin e Rusisë, pa pasur luhatje. Në takimin e parë mund Panamanë me rezultatin e duhur, e rrit disi “marshin” me Tunizinë, ndërsa fiton edhe kur nuk e dëshiron këtë të fundit, ndaj anglezëve. Një përmbysje fantastike brenda 45 minutave ndaj Japonisë, për të treguar edhe njëherë forcën që mbart kjo skuadër. Talentet e këtij grupi futbollistësh janë gjithmonë argëtues me futbollin e tyre. Kulmi arriti me eliminimin që i shkaktuan favoritëve kryesorë të Botërorit, Brazilit, atëherë çfarë e pengon këtë kombëtare për t’ia dalë në këtë turne? Ndoshta vetëm koha, na duhet të presim edhe pak ditë.
Franca – Një kombëtare që në grupet e Botërorit nuk ka bërë paraqitjen më të mirë të mundshme, por ia doli të kualifikohet në ndeshjen më të bukur të këtij turneu dhe ky ishte një paralajmërim për ngritjen graduale që po merrnin francezët. Ekipi që drejtohet nga ana e Deshamp, mposhti në një duel force dhe spektakli Argjentinën, duke dhënë provën e parë të vërtetë se ky grup lojtarësh mund të ngrejë trofeun në Rusi. Me një Mbape që e tejkalon shpeshherë imagjinatën njerëzore dhe limitet e një futbollisti normal, gjithçka është e mundur. Në çerekfinale arritën të kthenin me këmbë në tokë Uruguain, që ishte një koçkë e fortë dhe shihej si një nga kundërshtarët më të padëshiruar për t’u përballur. Tashmë kandidatura e tyre është hedhur, në Rusi pritet që të kurorëzohen francezët.
Kroacia – Një tjetër skuadër surprizë e kthyer në një realitet shumë interesant. Ka luksin të lërë pushim titullarët në ndeshjen e tretë në grup dhe përsëri ia del ndaj një Kombëtare që ishte e dënuar për të fituar. Argjentinën e kthen në një ndeshje elementare, ndërsa Nigerinë e ka gjithmonë në kontroll. Në takimet ndaj Danimarkës dhe Rusisë gjithçka kthehet në dramatike, por edhe në këto situata janë kroatët ata që dalin si fitimtarë. Atëherë, a nuk mund të quhet e kompletuar një kombëtare e tillë që fiton në të gjitha situatat që ajo ndodhet, pavarësisht vështirësisë në të cilën gjendet?
Anglia – Goleada ndaj Panamasë e ka ndihmuar për moralin dhe me Herri Kejn që shënon edhe kur prek topin pa dashje, anglezët duket se po ecin drejt rrugës së duhur. Megjithatë Belgjika e riktheu disi në realitet, teksa në takimin që pakkush do të dëshironte ta fitonte, anglezët dolën sërish të humbur. Një biletë e siguruar në çerekfinale, që trajneri Southgate duhet t’i gëzohet disi, nëse marrim parasysh mënyrën sesi ajo u arrit. Këtu duhet të përgëzohet portieri Pickford, që doli nga pritshmëritë që ishin për të dhe në rolin e një heroi, mori në shpinë Anglinë për ta kaluar në turin tjetër. Por nëse në një skuadër njeriu i ndeshjes është një portier, atëherë diçka nuk shkon normalisht. Në çerekfinale ndaj Suedisë ndoshta shkoi më lehtë nga çfarë parashikohej, por për të ëndërruar titullin, fillimisht anglezët duhet të konfirmojnë veten në një provë të vërtetë në gjysmëfinale, ndaj Kroacisë. Deri tani ende nuk e kanë fituar ndaj një kundërshtari të forcës së tyre.
TË ELEMINUAR
Brazili – Nuk e nisi në mënyrën më të mirë Botërorin e Rusisë dhe paraqitja që tregoi në grupet e këtij turneu, bëri që Brazili të mos e kryesonte këtë listë. Por mjafton një ndeshje jashtë grupeve, që lojtarët të cilët drejtohen nga Tite të riktheheshin si favoritët kryesorë për të triumfuar në Rusi. Në një kohë kur janë eliminuar shumë pretendentë kryesorë për të fituar Botërorin, një fitore si ajo ndaj Meksikës tregoi se gjithçka është nën kontrollin e Brazilit. Pavarësisht rrezikshmërisë së lartë që paraqiste kundërshtari, gjithçka doli sipas parashikimeve dhe kaloi pa shumë komplikime. I vetmi dyshim brenda këtij grupi që ka ekzistuar gjithmonë, ishte situata e Nejmarit. Ylli i PSG-së mund të ishte njeriu që do e shtynte Brazilin drejt fitimit të trofeut ose drejt eliminimit, fati i tij lidhet ngushtësisht edhe me atë të ekipit. Dhe ashtu ndodhi, në provën e parë të vërtetë ndaj Belgjikës, brazilianët nuk kanë arritur të shkojnë dot më tej dhe gishti është drejtuar menjëherë nga fajtori: Nejmar!
Uruguai – Kombëtarja që kishte surprizuar më tepër në Rusi. Futbollistët e Tabarez meritojnë një notë maksimale në këtë turne, për shpirtin e sakrificës dhe lojën që ata kanë zhvilluar. Një mbrojtje e hekurt dhe që mund të thyhej vetëm në ndonjë rast të veçantë të goditjeve standarde, si goli i marrë nga Pepe dhe Varne, ndërsa kundërsulmi i tyre arrin thuajse në perfeksion. Ndaj Portugalisë arritën të shënonin gjithmonë, kur e kërkonin këtë gjë. Më pas pritje në gjysmëfushën e tyre, me sulmues si Kavanin që shndërroheshin edhe në mbrojtës krahu. Por nëse ky i fundit arrin të mungojë, atëherë Uruguai humbet shumë dhe nuk e ka luksin e zëvendësimit. Franca e gjeti terrenin disi të shtruar, e ndihmuar edhe nga gafa e Muslerës në një moment të çaktuar, arriti t’ia dilte ndaj një kombëtare që mund të jepte edhe më tepër.
Rusia – Organizon vetë Botërorin dhe pas ndeshjeve skandaloze miqësore, shfaqet superfuqi në dy ndeshje me lojtarë që kishin lënë futbollin. Sa shumë kontraste të mëdha nga futbolli që tregojnë rusët. Ajo humbje ndaj Uruguait në takimin e fundit të grupeve, tregoi disi se fuqia e vërtetë e Rusisë, ishte përballja me ekipet e dobëta. Por me takimin e radhës me eliminim direkt, organizatorët e hodhën poshtë këtë teori, teksa arritën të eliminonin Spanjën nga ky turne. Megjithatë në të njëjtën mënyrë sesi Rusia arriti të kalonte më tej, ashtu erdhi edhe eliminimi i saj. Kroatët tashmë e kanë specialitetin e tyre triumfin nga “ruleta ruse”, aq sa edhe 50.000 tifozë nuk arritën t’i ndalnin dot atë eliminim të Rusisë nga çerekfinalja. Aventura mbaron këtu, ndoshta edhe zgjati më tepër nga çfarë pritej.
Suedia – Hija dhe makthi i Italisë, tregoi se jo më kot ka arritur në këtë turne. Një mburojë e fortë që mund të thyhet vetëm nga mentaliteti i gjermanëve, pak Kombëtare mund ta mposhtin atë. Në perfeksion ndaj Meksikës dhe suedezët kryesuan me meritë grupin dhe vendin në të cilin supozohej të ishte Gjermania. Zviceranët menduan se do e kishin të thjeshtë disi kalimin me ta, duke marrë parasysh edhe emrat e kundërshtarëve të tjerë që vazhdonin të ishin pjesë e këtij turneu. Por edhe ndaj një Suedie që shpërdoronte pafundësisht raste të pastra përpara portës kundërshtare, ishin pikërisht këta të fundit me stofin e fitimtarit. Aventura e tyre përfundoi ndaj Anglisë, në një ndeshje ku lojtarët e Anderson ishin tërësisht të shpërfytyruar. Një paraqitje që pakkush e kuptoi dhe të gjithë prisnin një tjetër reagim, por gjithsesi Botërori i Rusisë mund të konsiderohet pozitiv për suedezët.
Argjentina – Të gjesh kaq poshtë një skuadër që ka në përbërje lojtarë si Mesi, Higuain, Aguero e Dibala, do të thotë që diçka ka shkuar keq. Për Argjentinën, gjithçka ka shkuar keq. Por disa kombinime të fatit dhe një takim i fituar në mënyrë dramatike ndaj Nigerisë, ka bërë që argjentinasit të kalojnë më tej. Ashtu siç edhe pritej, kthimi i tyre përpara kohe në atdhe ishte i pashmangshëm dhe këtë e mundësi Franca. Megjithatë argjentinasit mund të ngushëllohen, pasi u eliminuan në ndeshjen ku fituesi i vërtetë ishte futbolli.
Japonia – Surprizuese në Botërorin e Rusisë. Të gjithë e konsideronin si kombëtaren më pak favorite në grupin e Polonisë, por ia doli të ishte në vallen e kryesimit deri në ndeshjen e fundit. Falë ndryshimeve të reja të FIFA-s, kalon grupet për shkak të lojës Fair-Play edhe pse e humbet ndeshjen vendimtare me Poloninë. Ndaj Belgjikës u arrit një fitore dhe humbje e madhe. Fitore pasi morën zemrën e shumë sportdashësve të këtij turneu, me paraqitjen e tyre dinjitoze në të gjithë aspektet brenda dhe jashtë futbollit, një shembull për të gjithë edhe me qytetarinë që treguan deri në pastrimin e ambienteve që shfrytëzuan. Megjithatë duhet të rikthehen në shtëpi pas asaj humbje dramatike ndaj belgëve, kur dukeshin se kishin gjithçka në dorë për të kaluar më tej. Fundja, i provuan shanset e tyre.
Kolumbia – Erdhi vonë në Botërorin e Rusisë, nuk e zhvilloi normalisht ndeshjen e parë. Megjithatë mjafton vetëm një ndeshje ndaj Polonisë, për të kuptuar forcën e madhe të këtij grupi lojtarësh. Ia del edhe në tjetrën përballë Japonisë, falë zbulimit të një golashënuesi nga mbrojtja, Mina. Kaq mjafton për të kaluar grupet, por situata ndryshon më pas dhe Kolumbia ishte e përgatitur për këtë skenar. Disi të ndjerë të “vjedhur” edhe nga vendimet e arbitrit, kolumbianët eliminohen nga ky turne falë ruletës ruse.
Danimarka – Një kombëtare me elementë shumë të mirë, por jo gjithmonë marrin atë që pritet në fushën e lojës. Rasti ndaj Australisë tregoi se tek Danimarka asnjëherë nuk duhet të tregosh besim të verbër. Me Kroacinë dukej sikur edhe fati drejtohej nga ata, teksa e nisin ndeshjen me një gol avantazh, ndërsa në momentin kur gjithçka mund të mbyllej me llogari kundër tyre, ishte veprimi i Jorgensen dhe Shmajkëll që detyrojnë Kroacinë të luajë edhe ruletën ruse përpara kualifikimit. Por kësaj Danimarke nuk i mjaftojnë as heronjtë dhe as fati, për të prekur çerekfinalen.
Spanja – Sigurisht, ndryshimi në pankinë pak orë përpara nisjes së Botërorit, nuk kishte si mos të linte gjurmë tek futbollistët. Arritën t’ia dilnin përballë Portugalisë në takimin e para, duke i përmbushur pritshmërinë e tifozëve, por më pas spanjollët ishin në një rënie të lirë. Kulmi arriti ndaj Rusisë, aty ku erdhi edhe eliminimi i grupit të futbollistëve që drejtohet nga Hierro. Pavarësisht pritshmërive të pakëta nga loja që kjo kombëtare zhvilloi në grupe, askush nuk e priste atë paraqitje ndaj Rusië. Një qarkullim topi që të dërgonte në një lojë pa fantazi. Hije e vetvetes që e bëri Spanjën të bënte gati valixhet përpara kohe nga Rusia.
Portugalia – Ky Botëror ka treguar në pjesën më të madhe se vetëm me individët, është e pamundur të shkosh larg. Portugezët e tentuan në këtë mënyrë dhe në fund dështuan. Kristiano Ronaldo nuk arriti t’i merrte më shumë në shpinë, sesa kalimi nga grupet e këtij turneu. Përballë një Uruguai që luftonte me shpirt dhe sakrificë në fushën e lojës, Portugalia kthehet e qetë në shtëpi pasi nuk kishte thuajse asnjë shans për të shkuar më tej.
Meksika – Një ekip që në fazën në grupe tregon gjithçka, por ka problem sapo i kalon ato. Paralajmërimet këtë herë erdhën që në atë disfatë me Suedinë, meksikanët ndryshojnë thuajse në çdo takim, njëherë për të treguar fytyrën e një “engjëlli”, e më pas për të treguar “djallin”. Kjo u dëshmua edhe në takimin ndaj Brazilit, teksa aty e prenë biletën për t’u rikthyer në shtëpi. Pavarësisht se ndaj brazilianëve u munduan në të gjithë mënyrat për të bërë një tjetër surprizë si ajo ndaj Gjermanisë, këtë herë Tite, ndryshe nga Lëv, e kishte kuruar ndeshjen deri në detaje.
Zvicra – Ka talent, ka entuziazëm dhe nuk ka frikë të luajë si e barabartë me ekipet e mëdha. Ka kaluar dhe mund të jetë një kockë e fortë për këdo. Por ajo ndalje me Kosta Rikën, tregoi se kombëtarja e drejtuar nga Petkoviç, kishte ende për t’u përmirësuar. Duket paksa ironike, pasi gjithmonë në momentin kur ngrihen më tepër pritshmëritë për zviceranët, që ata të surprizojnë me rezultatin dhe fazën ku pritet të arrijnë, në atë moment vjen edhe dështimi i tyre. Ai ndaj Suedisë tregon se tek kjo kombëtare ka nevojë për një analizë të thellë, pasi diçka shkon keq.
Senegali – Një ekip afrikan që mundohet të luajë si një skuadër europiane. Formula e Cises dukej se po funksiononte, por në momentet vendimtare, llogaritë nuk folën për Senegalin. Botërori i Rusisë është një peng i madh për këtë të, pasi e para e penalizuar nga kartonët e verdhë. Paraqitje pozitive, një grup që i duhej këtë turneu.
Islanda – Surprizat nuk kanë fund, të paktën jo nga Islanda. Nga arritja historike në Europian te kalimi i grupeve, islandezët arritën të kalonin për herë të parë në Botëror, ndërsa arritën të ndalnin Argjentinën në debutim. A nuk e fituan ata Botërorin e tyre?
Irani – Një surprizë e vogël e Botërorit të Rusisë. Gjithçka nisi me fitoren e befasishme ndaj Marokut, ndërsa Spanjës i duhej të djersinte aq shumë për të fituar kundër tij. Më pas është Portugalia që i falet fatit, në një kohë që mund të ishte Irani për të kaluar grupin. Vendosi rekordin personal dhe u pritën si heronj në atdhe.
Gjermania – “Futbolli është një lojë e thjeshtë, jo gjithmonë duhet të fitojë Gjermania”. E ka thënë dhe modifikuar Lineker, mjafton për të shpjeguar gjithçka. Një dështim i madh që i ka surprizuar të gjithë tifozët, por kjo është natyra e vetë kësaj loje. E pamundura nuk është asgjë, këtë na e dëshmon dështimi i gjermanëve.
Serbia – Rezultati ndaj Zvicrës ishte dëshpërues për ta, pasi humbën një takim që la gjurmë te futbollistët. Llogaritë ishin të tilla, finalja luhej ndaj zviceranëve dhe ajo u humb. Pavarësisht se quhet Botërori i surprizave, një e tillë ndaj Brazilit, ndoshta nuk besohej as nga vetë tifozët serbë.
Australia – Një kockë e fortë për kundërshtarët, Franca arriti ta kapërcente me vështirësi, por jo Danimarka. Gjithmonë e gatshme për t’iu përgjigjur nivelit të lartë të këtij turneu.
Koreja e Jugut – Duhet të falënderojë faktin se në Azi ka kualifikuese të lehta, pasi thuajse gjithmonë ka qenë kalimthi në Botëror. Por mjafton një ndeshje si ajo me Gjermaninë për të bërë befasinë e madhe dhe mund të lësh më tepër gjurmë në Botëror, ndoshta edhe se vetë kalimi nga grupet. Koreja e Jugut do të mbahet mend gjatë në Botërorin e Rusisë, sidomos nga gjermanët.
Nigeria – Një paraqitje me dy fytyra e nigerianëve në ndeshjet e Botërorit, por ajo e treguar ndaj Islandës ishte më e bukura. Kjo Kombëtare ka treguar se nuk ishte vetëm për numër në Rusi, por në mos për të lënë gjurmë, është e aftë për të ndryshuar historinë e të tjerëve.
Peruja – E pafat në këtë Botëror, ka luajtur mirë por nuk ka marrë rezultatet që meritonte. Largohet me kokën lart dhe me 3 pikë.
Tunizia – Tregoi herë pas here se mund të dhurojë futboll. Problemi është se i mungon qëndrueshmëria gjatë ndeshjes dhe kur kalon në aventurë, rrezikon goleada si me Belgjikën.
Maroku – Vjen një moment kur humbjet me rezultat të ngushtë nuk mjaftojnë, aq më shumë kundër një ekipi si Irani. Por barazimi kundër Spanjës, bëri që emri i Marokut të mos kalonte pa u vënë re nga ana e sportdashësve.
Polonia – Mund të jetë më e fortë se shumë skuadra në këtë Botëror, por është padyshim një nga zhgënjimet më të mëdha të aktivitetit, çfarëdo që të bëjë në ndeshjen e fundit. Ajo fitore ndaj Japonisë në ndeshjen e fundit nuk rregullon asgjë, përveçse bën që polakët të kenë shenjën e tyre që ishin pjesë e Botërorit të Rusisë.
Kosta Rika – E dënuar për të qenë e fundit e grupit përballë Brazilit, Zvicrës dhe Serbisë pa nisur ende turneu. Mrekullia e bërë dikur nuk mund të përsëritet, pasi ato ndodhin vetëm një herë.
Arabia Saudite – Shumëkush pyet ende se si është e mundur që shtete të tilla janë pjesëmarrëse në Botërorë kur shërbejnë vetëm për të rregulluar golavarazhin e skuadrave të tjera.
Egjipti – Mund të kesh një ndër lojtarët më të mirë në botë në ekip, por ky është një sport skuadre. Egjipti kishte marrë me vete vetëm Salah në këtë Botëror. I gjithë turneu është për t’u harruar nga ana e tyre, madje sa më shpejtë.
Panama – Po të mos ishte për dëshirën e theksuar të anglezëve që të mos shënonin më, do të thyhej çdo rekord për pësimin e golave në një ndeshje. E mbyll pa pikë.