E çuditshme por e vërtetë! Federata Zvicerane e Futbollit ka detyruar çdo vit disa talente të cilët janë me origjinë nga vendet e tjera, të nënshkruajnë kontrata të cilat i kërkojnë atyre të paguajnë një shifër të konsiderueshme nëse kërkojnë që të ndërrojnë Kombëtare pasi kanë luajturu me përfaqësueset e moshave të helvetëve.
Rritja e një talenti dhe përkujdesja për të në sistemet zinxhir, sipas Federatës Zvicerane, i kushton asaj 25 mijë franga. Ndaj ajo nuk dëshiron që ky investim të shkojë kot dhe të shfrytëzohet nga përfaqësuese të tjera siç ka ndodhur në vitet e fundit me Shqipërinë ku luajnë futbollistë të cilët më parë kanë qenë pjesë e Zvicrës.
Kësisoj, çdo vit, ajo u vë përpara 8 talenteve që sponsorizohen nga bursat e programit “Footuro” një “kontratë” e cila duhet firmosur nëse janë mes atyre me origjinë nga një vend tjetër dhe rrezikojnë që në të ardhmen të ndryshojnë përfaqësuesen. Nëpërmjet firmës, ata pranojnë të luajnë për Zvicrën dhe shprehen të gatshëm të kthejnë shifrën e mësipërme që mendohet se është shpenzuar për ta, nëse zgjedhin një përfaqësuese tjetër.
Sipas mediave zvicerane, kjo kontratë ka disa vite që nënshkruhet nga futbollistë të ndryshëm dhe deri tani, asnjë lojtar nuk ka refuzuar ta firmosë. Por gjithashtu, Federata Zvicerane e ka cilësuar këtë më shumë një “marrëveshje xhentëlmenësh” dhe nuk u ka marrë paratë atyre që janë larguar, në pjesën më të madhe të rasteve elementë të cilët nuk shiheshin si titullarë të mundshëm në ekipin A.
Kjo, për faktin e thjeshtë se një kontratë e tillë është e pavlefshme sipas legjislacionit në Zvicër. Lojtarët e ekipeve kombëtare nuk janë të lidhur nëpërmjet kontratave me vendin e tyre dhe në një gjykatë, Federata do të dilte e humbur dhe me imazh të njollosur. Edhe vetë drejtuesit e Federatës Zvicerane kanë pranuar se kjo letër në fakt shërbente thjesht për të vendosur lojtarët para “përgjegjësisë morale” të asaj që po bënin.