Jari ka përgënjeshtruar zërat se qëndrimi i tij për ndërtimin e Teatrit të ri, ka lidhje me faktin që nuk është dhënë leje ndërtimi tek toka e gruas së tij, pas parkingut të PD së vjetër.
Në një sqarim të tij thuhet:
“Është e vërtetë që gruaja ime është pronare e tokës në krah të kullave që do të ndërtohen tek ish parkingu i PD. Është po ashtu e vërtetë që ne kemi kërkuar të ndërtojmë atje por kemi pasur disa probleme.
Por unë nuk jam martuar me gruan për shkak të pajës, por e kam njohur në Teatër. Ne ishim në Shkollë të Bashkuar dhe na çuan të shikonim shfaqjen “Pallati 176”. Ajo kishte ardhur me shoqet e shkollës. Kështu që për mua Teatri është i shtrenjtë, se më kujton gruan por jo tokën e gruas.
Toka e gruas erdhi më pas. Unë ja ofrova Doktorit të bënte ç’të donte me të, por pastaj punët u ngatërruan, se erdhi në pushtet qeveria e bandave dhe drogës.
Më mori Doktori në telefon për këtë çështje.
Bujari ju dëgjon,- i thashë unë!
-Atë tokën,- tha,- duhet me e mbrojt pasi qeveria e drogës që po vjen në pushtet, mund të na e tjetërsojë.
-Bujari ju kupton drejt,- i thashë.
Dhe që atëhere lufta ime për ta mbrojtur këtë tokë është e lidhur me parimet e mija me Partinë Demokratike me Doktorin dhe jo si pronë e familjes.
Për këtë arsye kur unë protestoj për Teatrin, protestoj se më kujtohet komedia “Pallati 176” dhe ajo mbasdite e paharrur si student i Shkollës Bashkuar dhe natyrisht detyrimi që ka PD për të ruajtur trashëgiminë kulturore të para viteve ’90.
Ndaj gojët e liga që duan të më akuzojnë se e bëj për tokën e gruas, do marrin përgjigjen e merituar. Bujari jo vetëm dëgjon dhe kupton, por dhe reagon”!