Partia Demokratike ka rrëzuar skenarët për djegie mandatesh. Edhe pse u përfol në disa media se Partia Demokratike do të digjte mandatet, kreu demokrat Lulzim Basha i ka hedhur poshtë të gjitha këto aludime. Në një deklaratë për mediat, Basha, deklaroi se djegia e mandateve është opsioni më i thjeshtë për PD. Basha tha se qëllimi i vetëm i opozitës është të të përballet me qeverinë.
Për pyetjen e parë, ajo që sapo thash është e qartë. Mjetet dhe kalendarin nuk kam ndërmend t’i bëj subjekt të sensacioneve mediatike. Të jeni të sigurt se jemi të vendosur t’i ndjekim hap pas hapi të gjitha etapat dhe të gjitha opsionet; ku djegia e mandatave është opsioni më i lehtë, përballja dhe çlirimi i parlamentit, çlirimi i Shqipërisë nga krimi është objektivi ynë dhe ne do ta arrijmë së bashku me të gjithë qytetarët”, tha ai.
Opozita vë në zbatim planin “Meta”
Miratimi i projektligjit të teatrit nga ana e mazhorancës dy ditë më parë ka vënë në lëvizje opozitën. Ashtu siç gazeta e deklaroi dje, fronit opozitar ka vënë në zbatim planin “Meta” për të rikthyer edhe njëherë në Kuvend projektligjin e teatrit. Kreu demokrat, Lulzim Basha, gjatë deklaratës për media, i bëri thirrje Presidentit Ilir Meta që të mos dekretojë projektligjin e teatrit.
“Edi Rama është njeriu që fushat dhe kodrat përreth Tiranës i ktheu në fusha të shëmtuara betoni për para e për pushtet. Është njeriu që e ktheu Tiranën në një lavatriçe të pastrimit të parave me lejet e ndërtimit, por tani po e kthen gjithë Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista të drogës. Edi Rama nuk ka për tu ndalur me kaq. Ai duhet ndalur! Ne i bëjmë thirrje Presidentit të mos dekretojë ligjërimin e vjedhjes.
Ne i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen artistëve, aktivistëve dhe të gjithë atyre që kanë protestuar me kurajo prej muajsh. Forca e vetme që ka Edi Rama është indiferenca dhe mosveprimi. Bashkë nuk ka njeri që ta shembë Teatrin”, tha Basha.
Zbardhet aksioni politik i PD
Ndërkohë më herët Partia Demokratike ka mbledhur dje dhe grupin parlamentar nga ku ka vendosur dhe aksionin politik të javës. Sipas informacioneve, Basha u ka bërë të ditur deputetëve se nuk do të ketë bojkotim seancash plenare dhe se PD do të vijojë luftën me qeverinë brenda sallës së Parlamentit. Ndërsa sa i përket çështjes së pjesëmarrjes së Komisioneve Parlamentare, Basha ka deklaruar se bojkoti i tyre do të jetë i pjesshëm.
Ndërkaq, Basha u ka kërkuar deputetëve që të vijojnë me denoncimin e aferave të qeverisë si dhe të mos lejojnë zhvillimin e normal të seancave të komisioneve parlamentare. Por krahas këtyre informacioneve, Basha i ka porositur deputetët që të vijojnë luftën me mazhorancën në lidhje me projektligjin e teatrit si dhe të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.
Ndërkaq, sipas informacioneve, Basha u ka kërkuar deputetëve që të takohen me qytetarët dhe t’i ndërgjegjësojnë ata në mënyrë për të mbështetur protestat, që opozita dhe shoqëria civile do zhvillojnë për mos shembjen e teatrit.