Izet Haxhinë e pret një betejë e gjatë gjyqësore për të fituar pafajësinë e tij. I vetëdijshëm për këtë gjë, ai, përmes avokatit të tij mbrojtës, Bashkim Nikolla ka vendosur që t’i luajë të gjitha “letrat” dhe ka planifikuar që të thërrasë në seancat gjyqësore plot 44 emra për të dëshmuar për vrasjen e Azem Hajdarit. Midis të “piketuarve” të Izet Haxhisë bën pjesë edhe ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi.
Nuk kam asgjë personale. Unë do të them atje të gjitha gjërat që dinte SHIK-u. Në fakt të gjitha këto gjëra janë të shkruara, unë nuk di asgjë tjetër dhe as më pak. Unë kam bërë për këtë problem shumë shkresa në atë kohë, tek Ministria e Brendshme, tek Drejtoria e Policisë, Presidentit, kryeministrit, janë shumë. Deri tani vetëm një ka dalë shkresë. Gjykata le t’i marrë këto shkresa dhe t’i gjykojë, por unë nuk them dot asgjë më tepër mbi ato. Unë ato që i di, i di si ish-drejtor i SHIK. Unë sigurisht që shkoj për të dëshmuar, por pak a shumë qëndrimin tim e kam bërë publik.
Do të shkoj për korrektesë qoftë ndaj gjykatës, qoftë ndaj të drejtës së Izet Haxhisë për t’u gjykuar”, tha ish-kreu i SHISH. Ai shtoi më tej se Izet Haxhia ka të gjithë të drejtën të kërkojë pafajësinë pasi sipas tij, është dënuar kot. “Pavarësisht se me Izetin ndonjëherë kemi bërë ndonjë debat në distancë, unë nuk kam asnjë problem me të. Unë do të doja me të vërtetë që ai të përfitonte diçka nga kjo punë sepse me të vërtetë e kanë dënuar rëndë. 25 vite burg pa qenë fare pjesëmarrës aty më duket absurde”, u shpreh ai.
Akuzat kundër Berishës
Fatos Klosi nuk la pa thumbuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha gjatë prononcimit të tij. Duke komentuar faktin që Berisha është thirrur shumë herë si dëshmitar në seancat e para gjyqësore për vrasjen e Azem Hajdarit, por nuk është paraqitur, ish-kreu i SHISH theksoi se ky është një tregues frike. “Mua më duket e drejtë kërkesa e Izet Haxhisë për t’u ballafaquar vazhdimisht me Sali Berishën.
Qoftë Izet Haxhia, qoftë të tjerë që u dënuan për këtë punë kërkuan të ballafaqoheshin me Berishën dhe ai nuk denjoi ndërkohë që ishte i pari mbas ngjarjes që deklaroi se kush e bëri, si u bë, si ndodhi ngjarja, etj. Gati-gati i tha këto gjëra aq pak kohë pas ngjarjes, saqë duket sikur Sali Berisha këto gjëra dhe detaje i kishte vendosur më parë.
Ai dinte shumë për atë problem dhe nuk guxoi njeri ta merrte me forcë dhe ta vinte para përgjegjësisë. Nuk e di pse nuk u bë asnjëherë një gjë e tillë. Nëse do të vihej para përgjegjësisë, ai do të shkonte si çeço pastaj”, nënvizoi Klosi. Ish-kryetari i Shërbimit Informativ shtoi më tej se Berisha nuk ka guxim të dalë para gjykatës e të hedhë akuza njësoj siç bën në jetën politike sepse është i frikësuar nga hetimi. “Ai duhet të ishte në shumë ngjarje për të cilat ka folur, për të cilat ka dhënë mendim apo për të cilat ka thënë fakte gjoja, por asnjëherë nuk është thirrur.
Asnjëherë nuk kanë guxuar t’i shkojnë deri në fund kësaj pune. Ai ka përfituar nga kjo punë. Berisha i shmanget përgjegjësisë. Në gjykatë në qoftë do të dëshmonte, do të dëshmonte si person nën hetim dhe problemet janë të ngatërruara. Ndërsa duke folur kështu nëpër gazeta, në Parlament etj, ai nuk ka asnjë përgjegjësi. Ai i ka ndarë mirë këto punë. Deklaratat me përgjegjësi nuk i ka marrë përsipër. Nuk iu është afruar absolutisht fare. Ndërsa për deklaratat për të shpjeguar çdo ngjarje që ndodh brenda dhe jashtë Shqipërisë, ai ta merr përsipër dhe fillon flet atje ku shmang përgjegjësinë”, tha Fatos Klosi.