Diplomacia shqiptare ka arritur të triumfojë në një ngjarje të rëndësishme te Kombet e Bashkuara, dhe këto ditë, kjo ngjarje, ka kaluar si pa u vënë re.
Profesor Doktor Gentian Zyberi, arriti të marrë votën e 90 shteteve në Kombet e Bashkuara për të qenë anëtar i Komitetit të OKB për të drejtat e Njeriut, raporton newsbomb.al.
Për herë të parë, që nga anëtarësimi i Shqipërisë në këtë organizëm, në vitin 1992, Shqipëria arrin të lobojë dhe të bëhet pjesë e këtij komiteti për mandatin 2019-2022.
“Gentian Zyberi sapo u zgjodh anëtar i Komitetit Ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike në mandatin 2019-2022. Shqipëria për herë të parë prezantohet në këtë trup të UN që nga anëtarësimi i saj në 1992. Falemnderit të gjithë partnerëve për mbëshetjen” shkruan ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në twitter.
“Jam shumë mirënjohës për mbështetjen tuaj të fortë, për mbështetjen e misionit tonë permanent në OKB dhe për orët e zgjatura të punës, si dhe të gjithë vendeve anëtare për besimin që më dhanë. Do të bëj më të mirën për të qenë një anëtar i denjë i Komitetit të të drejtave të njeriut” shkruan vetë profesor doktor Gentian Zyberi, raporton newsbomb.al.
Edhe Besiana Kadare, ambasadore në OKB shkruan se Shqipëria për herë të parë arriti tia dalë në këtë zgjedhje jo shumë të lehtë. Dhe gjithashtu ka uruar Tunizinë, Francën, Ganën, Japoninë, Ugandën, Greqinë, Slloveninë dhe Kilin për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre.
Por nuk përfundon këtu. Zgjedhja e shqiptarit si anëtar i këtij komiteti nuk ka kaluar pa një lobim të forte, raporton newsbomb.al.
Dhe në gjithë vendet që u listuan sipas votave, për herë të parë Shqipëria kryesonte listën me votat e marra, duke lënë pas shtete dhe vende të fuqishme. Kandidati shqiptar mori 90 vota nga vendet anëtare dhe kryesoi listën duke lënë pas shtete shumë të fuqishme duke përfshirë Rusinë e Hollandën, por edhe Armeni, Uruguai, Etiopia etj. /NEWSBOMB.AL