Pas vendimit nga gjykata e kryeqytetit, që i njeh të drejtën e rivendosjes në afat dosjes së Izet Haxhisë, ky i fundit nuk ka humbur kohë, teksa këtë të enjte ka depozituar ankimimin në Gjykatën e Apelit, ku kërkon pafajësinë dhe shbërjen e dënimit me 25 vite burg, si një nga autorët e vrasjes së Azem Hajdarit.
Televizioni Report Tv, ashtu si në rastin e vendimit të Gjykatës së Tiranës, siguron ekskluzivisht edhe animimin, ku Izet Haxhia dhe avokati i tij, Bashkim Nikolla, rendisin argumentet se përse kërkojnë pafajësi.
Ata veç Sali Berishës kërkojnë të thirren një listë e gjatë dëshmitarësh, mes tyre poltikanë, gazetarë dhe personazhe publike të asaj kohe, ku bien në sy emri i ish-kryeministrit Fatos Nano, ish-kryeprokurorët Arben Rakipi e Ardian Visha, ish-deputetja Jozefina Topalli, asokohe nënkryetare e PD, ish-ministrin e Brendshëm Petro Koçi, dhe ish-gjeneralin e Tiranës, Nehat Kulla.
Lista prej 44 emrash ka në përbërje të saj edhe personazhe të njohur të kohës, që janë edhe sot aktivë në jetën publike dhe politike. Haxhia në ankimimin e tij rendit dy pyetje për Sali Berishën, ku i thotë se përse e donte të vdekur Azem Hajdarin, atë pra Izetin, dhe dy vëllezërit e Izet Haxhisë.
Po ashtu Izet Haxhia kërkon që të rihapen kërkimet edhe për gjetjen e autorëve të tjerë të dyshuar për vrasjen e Azem Hajdarit, zbardhjen e tabulateve telefonike të personave që kanë interes për këtë çështje, bllokun e shënimeve të ish-ministrit të Brendshëm, Perikli Teta.
Avokati dhe Izet Haxhia kërkojnë që të gjitha provat shkresore t’i nënshtrohen hetimit gjyqësor, kronikat e regjistruara të gazetarit Artan Hoxha.
Ai kërkon bisedën e regjistruar me diktofon të gazetarit Ylli Rakipi në momentin që Berisha i shkoi në spital të plagosurit Zenel Neza, që janë në këto pamje që shihni në këtë video. Ky ankimim është depozituar sot dhe administrate e Gjykatës së Apelit do të shpallë trupën gjykuese dhe datën kur do shqyrtohet kërkesa.