Komisioni i Posaçëm i Apelimit, ka marrë vendim për të mos kaluar për shqyrtim çështjen e çiftit të ish-prokurorëve Rovena Gashi dhe bashkëshortit të saj Dritan Gina.
Vendimi zyrtar, saktëson se nuk janë aktet administrative individuale që vendosin masa disiplinore në kuadër të një procedimi disiplinor.
“Kolegji i shqyrtimit paraprak të ankimit, me vendimin nr. 2/2018 (JD), datë 21.06.2018, bazuar në nenin 31, nenin 31/a, paragrafi 2, germa “a”, si dhe në nenin 71/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, vendosi:
Moskalimin për shqyrtim në seancë plenare të çështjes nr. 2/2018 (JD), datë 17.05.2018 me palë ankuese znj. Rovena Gashi dhe z. Dritan Gina.
Objekt i këtij ankimi ishte “anulimi i vendimit nr. 140, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe anulimi i vendimit nr. 141, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku etj.”.
Prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina patën ankimuar pezullimin nga detyra me urdhër të Arta Markut. Me anë të një deklarate të mëhershme për mediat, prokurorja e pezulluar nga Prokuroria e Përgjithshme, Rovena Gashi pati njoftuar se padia e saj dhe e bashkëshortit Dritan Gina, është bllokuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për shkak të formaliteteve të shortit.
Prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina me datë 14.05.2018 u pezulluan nga kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku, pas regjistrimit të procedimit për fshehje të pasurisë./CNA.al