Nga Romeo Kara
Kur ra tërmet, një numër i madh punonjësish, morën shkallët në mënyre instiktive, për të dalë jashtë.
Një pjesë e mirë e tyre, po në mënyrë instiktive thonin: Zot na ruaj!
Asnjë prej tyre nuk tha: O parti, o lider, o gangster, o pasanik, o bankë, o dreq na ruaj!
Në ditë të vështira, gjithkujt i del nga shpirti, nga ai shpirt të cilin Zoti ia përcolli nëpërmjet hundës, për herë të parë Adamit, thirrja për ndihmë ndaj Zotit.
Jemi vërtet një krijim i gërshetuar mrekullisht prej Zotit, qiellor (shpirti) dhe tokësor (trupi i cili ka në përbërje çdo element të kësaj toke).
Nisemi nga një destinim i caktuar, por njëkohësisht të lirë në vullnetin tonë.
Pse nuk duam t’a kuptojmë, se vijmë prej Zotit dhe tek ai do të kthehemi?!
Pse qorrollepsemi duke adhuruar krijesa të njëjta si ne, vetëm për arsye të famës, parave, frikës dhe pushtetit?
Po çfare është në fund të fundit pushteti i tyre, krahasuar me atë të Zotit?
Por, ajo që më bëri përshtypje përsëri, ishte koha kur punonjësit u kthyen nëpër zyra dhe kur pothuaj asnjëri prej tyre, nga ata që pashë unë, nuk tha: Faleminderit o Zot, që na e dëgjove lutjen dhe na ruajte!
Kështu jemi gatuar: Në vështirësi duam Zotin, ndërsa falenderimet i kemi për partinë, liderin, gangsterin, bankën dhe dreqin dhe mbi të gjitha për veten.
Zot na ruaj!