Pa asnjë dyshim, që pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, pyetja më e vjetër ka qenë e vazhdon të mbetet: Të hapen apo mos të hapen dosjet?
E bërë fillimisht në mesin e vitit 1991, kjo pyetje vazhdon e përsillet si fantazma e Bankos, sa herë që shelgjishtet e fjalëve duan të vërshojnë mbi të vërtetën. Janë sjellë pohime e mohime të ndryshme, është shfaqur droja e krisjes së marrëdhënieve mes njerëzve, manipulimi i tyre, të vërtetat dhe enigmat e pseudonimeve të njerëzve të politikës, fshirja e fakteve dhe përdorimi i dosjeve si mjet shantazhi nga pushteti, sidomos pas vitit 1992. Dhe enigma mbetet: Të hapen apo të mos hapen dosjet.
Në fakt enigmë nuk ka, ka vetëm heshtje pushtetore, të cilët e sjellin nëpër dhëmbë këtë çështje që është kaq e thjeshtë dhe për të cilën nuk do të ishim as të parët, ashtu si mund të jemi të fundit.
Në fakt, zgjidhja e enigmës kalon përmes një vendimi të shkurtër, të prerë, e pas tij, si ndodh rëndom, të neneve dhe nën-neneve të tij. Dosjet duhet të hapen; sa më shumë që shkon, aq më tepër të vërtetat do të fshihen, do të mjegullohen dhe do të bëhen të parëndësishme, pasi, si gjithçka që nuk bëhet në kohën e vet, ajo zbehet, merr kuptimin e mjegullnajës dhe bëhet plotësisht e pabesueshme.
Janë dhënë shumë argumente pse duhet të hapen dosjet: Që nga katarsisi i politikës e deri tek e ardhmja e saj; që nga qetësimi i shpirtrave dhe deri në mbushjen në mend të njerëzve që kanë shpifjen profesion të lirë dhe përmes tyre mbushin shpirtrat e njerëzve; që nga e vërteta e asaj që ka ndodhur dhe deri tek shfrytëzimi i dinjitetit njerëzor si shkallë karriere politike.
Nuk e di numrin e dosjeve dhe nuk më intereson ta di. Shumë jetë janë në faqet e tyre dhe për shumë të tjerë spekullohet deri në infinit. Nga ato dosje kanë ardhur rrëzime të mëdha të fatit njerëzor, janë bërë përmbysje në ecjen e tyre, është marrë nëpër këmbë dinjiteti dhe është vënë nën fre mendimi i lirë. Nga ngritja e dosjeve është bërë karrierë, dikur në politikë e më pas në ekonomi; nga pëshpëritjet është ngritur një sajesë e stërmadhe. “Dosje-krijues” ka pasur gjithandej, ashtu si ka pasur edhe të rënduar nga dosjet.
Pse duhen hapur dosjet?
Njëra nga dosjet që duhet hapur, për shembull, ajo e “Hutinit”, me tre volume, i përket njërit ndër njerëzve të politikës, që në kohra të ndryshme, jo të gjata, ka qenë përfaqësues i PD-së, e pas pak, me të hedhur lumin, do të shkonte tek PS-ja. Më pas do të kalonte përsëri në PD, dhe duke rrëshqitur majtas e djathtas, bëhet njëri nga të fuqishmit financiarë të kohës së sotme, dhe përmes botës së tij të biznesit, është i gatshëm të përmbysë çdo gjë. Aktiviteti i tij “dosierist” është mbi 10 vjeçar, dhe shërbimi ka qenë i kushtueshëm për të tjerët. Koha e shkuar nuk është fatalisht larg, mirëpo ajo, si duket, do të shkojë në kalendat greke. Do të jetë në askund.
Dosja e Rustem Tabakut, Enver Bicakanit, ish-ushtarakë, të dënuar më pas me pushkatim nga një gjyq politik në Shkodër, po ashtu duhet hapur, pasi jo vetëm kushtoi jetë njerëzore, por edhe dënimet e mëpasme për të tjerët, të quajtur grup armiqësor, buronin nga “dosjerë” që krijonin alibi për njerëz që as nuk kishin menduar ndonjëherë të përmbysnin pushtetin e kohës.
Është fakt se fshehja e së vërtetës së dosjeve krijoi alibinë e persekutimit. Nga të 11 fraksionistët e parë në PD, dy prej tyre, më të zellshmit për të “qëruar spiunët” nga politika, kishin qenë vetë të infiltruar të Sigurimit të Shtetit, për më tepër, njëri prej tyre, i njohur në inteligjencën krijuese. Të njohur në dosje si “Sqepari” apo “Trëndafili”, ata kishin pasur mbrojtjen e shtetit për deri sa ishin pjesë e pozitës së PD-së, por, kur deshën të rebelohen, shifrat dhe të fshehtat filluan të bëhen gjëra të hapura, por edhe si një paralajmërim ndaj rebelimeve të tjera.
Dosjet, është thënë qindra herë, duhen hapur për njerëzit e politikës, fillimisht, si një katarsis madhor, për të zbritur tek të tjerët. Nuk mund të ketë dekriminalizim të saktë, nëse në skutat e Kuvendit, të shtetit e të pushtetit, lihen ende njerëz që në të shkuarën, pa asnjë shtërngim, më shumë nga cmira, u bënë mjete të prishjes së jetës së të tjerëve. Duam apo nuk duam, fakti është se edhe sot, jo në një përcaktim të ndjeshëm si në vitin 1991, ata janë aty, dhe mbështetjen e kanë tek filialet financiare që kanë krijuar, ndërlidhja e tyre me botën e financës dhe, përmes tyre, me hijet e tyre në politikë.
Nuk mund të ketë dekriminalizim të parlamentit dhe të jetës politike, nëse nuk bëhet katarsisi politik, edhe përmes dosjeve, për të hequr nga jeta politike, pa dhimbje, njerëz që jo shumë larg kanë qenë pjesë e shërbimeve të huaja, sidomos UDB dhe Asfalia greke, si ishte një njeri i politikës me pasemrin “Pashtriku”, por që ende kanë praninë e tyre.
Dosjet nuk janë pronë e askujt, ato duhet të bëhen pronë, sidomos e atyre që kanë qenë viktimat e dosjeve. Njerëzve mund t’u falen mjaft gjynahe, por është krejt e pamundur falja e mëkatit të madh të shpifjes, spiunimit, përgjimit dhe dënimit. Koha që shkoi ishte e mjaftueshme për të kuptuar se gjakrat janë ftohur. Shumë nga ata që kanë mbartur mbi kurriz vuajtjen e dënimin, ose nuk janë më, ose janë tepër të moshuar.
Dosjet duhen hapur edhe për të prerë akullnajën e fjalëve. Edhe tash, sa herë që gjakrat nxehen, njerëzit ia përplasin njëri tjetrit: Ti ke qenë “Malësori”, “ti ke qenë Hija”, “ti je Dizenjatorja”, “ti je Çiftelia”, ti je “Notari”, ti je “Vinçieri”, ti je Këndezi e ti dreqi e i biri…dhe askush nuk e di se ku është e vërteta dhe ku është mashtrimi. Të hapen dhe të marrë fund mashtrimi.
Dosjet duhen hapur, pasi pushteti, qoftë i tashëm, sidomos i Shqupit, presionin më të ndjeshëm e bën përmes dosjeve, të gjetura dhe të ngritura vetë, përmes shërbimit partiak të sigurimit të fshehtë. Kjo nuk është sekret më. Njeriu kur nuk është i lirë, nuk mund të miratojë asgjë të lirë.
Dosjet duhen hapur pasi, ata që ishin “dosieristë”, jo pak herë po paraqiten si të ndjekur, të persekutuar dhe nën këtë status nëpërkëmbin vlerat që edhe pse në një kohë të vështirë, i qëndruan kohës, ishin vlera mbi kohën dhe na dhanë të drejtën të themi se kemi pasur njerëz që kanë rezistuar. Qoftë edhe përmes artit.
Dosjet duhen hapur, pasi askush nuk duhet të jetë mëkatar i fshehur që vazhdon edhe sot e ikësaj dite të hedhë gurët e rëndesës mbi jetën e të tjerëve. Apo të përshfaqet si një atdhetar i madh.
E shkrova këtë të fundit nga një shembull i habitshëm: Vitin e shkuar qeveria nderoi disa nga veteranët e luftës, sipas shkallëve të caktuara. Njeriu i nderuar në atë listë, ku kishte edhe të merituar, edhe nga regjimi ishte goditur pasi, pa miratimin e Komitetit Qendror të Partisë, kishte vënë nën përpunim Sekretarin e Parë të një rrethi verior. Enver Hoxha i kishte thënë shpifës. Njeriu që ishte dekoruar ishte në shkallën A të veteranit, por ai kishte qenë pionier gjatë luftës. Kishte qenë pjesë debatikase, por asgjë më tepër. E në atë listë, për shembull, mungonte Rexhep Haka, ish komandanti i parë i Batalionit partizan “Perlat Rexhepi”.
Edhe për këtë duhen hapur dosjet. Njerëzve t’u thuhet krejt ndershmërisht: Ju nderojmë për luftën, por disa nga ju, pas përfundimit të saj, u bëtë shnderuesit më të mëdhenj të luftës, e përdhosët atë.
Dosjet duhen hapur për të liruar shpirtin e popullit nga një makth, që, edhe nëse nuk është i vërtetë, prej dy dekadash e gjysmë, sillet e përsillet mbi fatin e njerëzve.