Qershori 2018 nuk ka qenë një muaj i mirë për bizneset. Sipas listës së subjekteve pasive të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjatë muajit qershor kanë kaluar ne statusin pasiv 1301 biznese. Krahasuar me të njëjtin muaj një vit më parë, numri i bizneseve që kanë kaluar në pasiv është thuajse dyfishuar.
Edhe pse qershori shënon fillimin e sezonit turistik dhe shumë biznese që punojnë sezonalisht kalojnë në status aktiv gjatë muajve me fluks turistik, qershori i 2018-s shënoi rekord për periudhën 2013-2018. Numrin më të ulët të bizneseve që kanë kaluar në status pasiv gjatë qershorit për periudhën 2013-2018 është viti 2015, ku kaluan 271 biznese.
Në total gjashtë mujori i pari i vitit 2018 shënoi 7,058 biznese që kaluan në statusin pasiv, nga 4732 që ishin në gjashtë muajt e parë të vitit 2017, me një rritje prej gati 50%. Sërish edhe në bazë krahasimore për periudhën 2013-2018, viti 2015 ka numrin më të ulët të bizneseve që kanë kaluar pasiv në gjatë gjashtë muajve të parë, ku kanë kaluar në pasiv 1631 biznese.
Gjashtë mujori i parë i vitit 2016 ka shënuar numrin më të lartë të subjekteve që kanë kaluar në statusin pasiv. Ky vit përkon edhe me pastrimin e regjistrit tatimor dhe në pasiv kaluan shumë subjekte që ishin mbyllur në fakt prej vitesh. Në muajin maj të vitit 2016 u bë i mundur kalimi automatik nga sistemi edhe i tatimpaguesve që kishin situata mosdeklarimi dhe deklarimin pa veprimtari për më shumë se 12 periudha mujore të njëpasnjëshme dhe tashmë kjo procedurë për ekzekutimin e procesit të kalimit në Pasiv nga Sistemi, funksionon çdo ditë. Tatimet përditësojnë listën me subjektet që kalojnë në status pasiv.
Ndërsa pas pastrimit të regjistrit, numri i subjekteve të mbylluara është përgjithësisht aktual. Një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:
nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm;
deklaron në QKR pezullim veprimtarie tregtare për një periudhë më shumë se 12 muaj të njëpasnjëshëm apo pa afat të përcaktuar