Teatri, si mollë sherri sot për komunitetin artistik, intelektual dhe artdashës, u bë pa vetëdije pasqyra e një shoqërie në prag falimentimi. Debati u karakterizua nga një gjuhë e egër, vulgare dhe e dhunshme ndaj kujtdo që ka mendimin ndryshe. Deri edhe kundër atyre që prej dekadash ndërtuan me talentin, punën, përkushtimin e tyre atë çka sot quajmë Teatri shqiptar.
Teatri sot po nxjerr në pah problemin e vërtetë të menalitetit, qytetarisë dhe vetëdijes sonë. Problemin e demokracisë shqiptare. Në demokraci kundërshton mendimin kundër duke e respektuar atë. Nëse ky rregull bazë do të respektohej, sot të gjithë ne, pro dhe kundër do të kuptonim se në thelb jemi në një mendje. Të gjithë e duam teatrin.
E ky është mendimi im.
A na duhet një teatër i ri ?
Pa dyshim. Identiteti i një kombi nuk është vetëm gjuha, kultura që ai ka krijuar dhe shkruar etj, por edhe ndërtimet që ka bërë dhe arkitektura. Historia jonë na tregon se ne nuk jemi fise indigjene që vetëm trashëgojnë ndërtesat e kolonizatorëve, por jemi edhe ndërtues. Ka ardhur koha që tu lëmë brezave jo fjalë e zënka facebooku, por trashëgimi reale në vepra të shkruara e ndërtuara të epokës sonë, të shekullit tonë si vlera të ditëve kur jetuam ne.
A ka nevojë për teknikë bashkëkohore në kinema, teatër e gjetkë talenti i artistëve shqiptarë për të vënë në efiçencë maksimale krijimtarinë ? Për ta bërë këtë krijimtari konkurruese, masive dhe fitimprurëse ? A duhet ne të hedhim sytë te shkollimi i aktoreve dhe artistëve tanë ? Te tregu dhe ofertat e punës ? Statusi i artistit ? Publiku dhe cilësia ? Përkrahja e sipërmarrësve artistike që me djersën dhe paratë e tyre kanë investuar dhe ndërtuar në këtë profesion të brishtë ? Pa dyshim. Ky do të doja të ishte debati dhe kërkesa sot.
A na duhet një teatër nga taksat tona ?
Sinqerisht jo. Është një luks që e refuzoj. Ato taksa duhet me patjetër të shkojnë për strehimin e të vobektëve, për kushte e trajtim të të miturve e jetimëve, për spitale e ilaçe për të sëmurët, për çerdhe e kopshte për fëmijët, rrugë e infrastrukturë të sigurt e cilësore.
A ka mënyra të tjera ?
Nëse paska në këtë kapitalizmin tonë ku gjithkush fitoka diçka, pse jo ? Mua më shumë më dhemb kur shoh qytetet tona të zgjerohen pa kriter duke gllabëruar toka buke, kodra e pyje sesa qiell.
E megjithatë nuk dua të bëj gjithologun, arkitektin, urbanistin, ekonomistin, politikanin. Unë nuk i kam të gjitha aftësitë, shkollimin dhe cilësitë të jap mendimin tim në këto fusha. Si artist do të doja të kishim një teatër. Si qytetar, do të doja të kisha institucione shtetërore të sakta dhe efikase që të merreshin ato dhe vetëm ato me çka më sipër. E pra dhe këtu jemi dakort. Hajde flasim çfarë duam realisht. Një shtet !
Dhe për këtë duhet që kërkesat kryesore t’i kemi ndaj vetes. A jemi ne një komunitet dhe bashkësi vlerash reale ? A jemi ne të pavarur dhe të papolitizuar ? A jemi ne të gatshem për t’u sjellë në mënyre demokratike ? A dimë të bëjmë zgjedhjen e duhur në momentin e duhur ? A ështësadopak faji ynë për gjendjen ku jemi ? Hajde ta ulim pak zërin, që të dëgjojme mendjet tona.
E për ta mbyllur, nëse do të më duhej të zgjidhja midis teatrit të ri apo të vjetër, do të zgjidhja njerëzi, të gjithë, pa përjashtim.
Përzemërsisht Genti Kame