Kryeministri Edi Rama ka në dorë të gjithë të dhënat e punës së kryebashkiakëve të Partisë Socialiste. Vitin tjetër do të mbahen zgjedhjet vendore dhe shumë krerë bashkish rrezikojnë të mos rikandidohen. Më 27 prill sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla nxori një vendim për të parë performancën e kryebashkiakëve socialistë në gjithë bashkitë e vendit.
Pas këtij vendimi të gjitha degëve të Partisë Socialiste iu dërgua një formular, ku secila degë të shprehtë opinion e saj për kryebashkiakët, ndërsa një formular iu shpërnda këtyre të fundit për ta plotësuar. Pyetjet kanë të bëjnë me performancën e kryetarëve të bashkive dhe kanë lidhje me mënyrën sesi kanë menaxhuar të ardhurat, sa investime kanë kryer, apo sa metra katrorë leje ndërtimi kanë dhënë gjatë mandatit të tyre.
Gjithashtu, në formular ka pyetje edhe për numrin e pemëve të mbjella, për situatën e furnizimit me ujë dhe numrin e të punësuarve. Mirëpo, gazeta ka mësuar se shumica e degëve socialiste i kanë dorëzuar formularë tek selia qëndrore e PS-së, madje një kopje e këtij formulari tanimë ndodhet edhe në tryezën e shefit të qeverisë. Mësohet se në raportin e saj, baza ka folur me emra konkretë kryebashkiakësh, për të cilët kërkon që të mos rikandidohen.
Po kush janë disa nga arsyet që kanë çuar bazën socialiste që të shpreh pakënaqësi ndaj kryebashkiakëve? Arsyeja kryesore është se shumë kryetar të PS në rrethe por edhe një pjesë e madhe e anëtarësisë kanë rezerva ndaj punës dhe performancës së kryebashkiakëve. Për këtë arsye ata në raport i kërkojnë kryetarit të PS, Edi Rama, i cili është njëherësh edhe kryeministri i vendit që të mos i rikandidojë në zgjedhjet e 2019 këta kryebashkiakë.
Një tjetër arsye që ka çuar bazën që të ndërmarrë këtë veprim kundrejt kryebashkiakëve ka të bëjë me premtimet, sidomos sa i takon punësimeve. Kryeministri Edi Rama dhe eksponentë të lartë të PS-së vazhdimisht kanë kërkuar që administratë të pastrohet nga militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, veprimi ky që do ti hapë rrugë punësimit të socialistëve. Por duket se kryebashkiakët nuk e kanë vënë “ujin në zjarr” sa i takon këtyre porosive, duke shkaktuar pakënaqësi në radhët e bazës socialiste.
Ballafaqimi i raporteve
Interesant është fakti se përveç dy raporteve të bazës, ku njëri është për partinë dhe tjetri për ekzekutivin, në lupë do të kalojë edhe vetë raporti i kryebashkiakëve. Gazeta mësoi se formulari që kanë plotësuar kryebashkiakët do të merret në konsideratë nga kryeministri Edi Rama, në mënyrë që të ketë një tablo të qartë mbi performancën e secilit prej tyre dhe që pritet ta bëjë publik gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS, e cila mund të zhvillohet gjatë këtij muaji.
Madje, mësohet se kryeministri Edi Rama do të bëjë një ballafaqim të raportit të bazës me atë të kryebashkiakëve socialiste. Thënë më drejtë, shefi i qeverisë do bëjë krahasim raportesh, përpara se të marrë një vendim sa i takon emrave të kryebashkiakëve që baza ka kërkuar të mos rikandidohen. Pra përmes kësaj lëvizje Rama kalon në sitë gjithë performancën e krerëve të bashkive, raporton gazeta Sot Dhe ai kryebashkiak që rezulton me performancë negative në lidhje me porositë e Ramës, me shumë gjasa nuk do të rikandidohet. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.