Shtetarët vjedhin, populli paguan
Shqiptarët paskan “lindur” për të shlyer borxhet e shumta, që qeveritarët i marrin në emër të ekonomisë dhe mirëqenies së popullit, por që nuk ka ndodhur kështu dhe prej 27 vitesh po paguajmë taksa, për të paguar kreditë e marra tek bankat dhe konsorciumet e huaja për lobime partiake, rrugë, blerje energjie, shkolla, spitale, investime për mos përmbytje nga lumenjtë, blerje helikopterësh e lloj-lloj shpenzimesh të tjera, por që shtetarët i kanë bërë pasuri, biznese e luks për vete dhe shtatë brezat e ardhshëm të tyre.
Defterët e “listës së zezë” të detyrimeve financiare që ka shteti shqiptar nëpër botë, janë hapur dhe dje, me 2 korrik 2018, ka hyrë në fuqi ligji për shlyerjen e një borxhi të marrë nga Nano, Berisha e Majko në vitet 1991-1998, si detyrim shërbimesh në favor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Vlera e borxheve, që kryeministrat shqiptarë i kanë marrë 20-27 vite më parë, kur Berisha ishte sa Majkua dhe Majko ishte “Gjino”, do të paguhen tani që Majko është bërë gjysh në parlament dhe kapin shumën 1 288 348,27 (një milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e tetë, presje njëzet e shtatë) USD.
Ja Ligji Nr. 35/2018 datë 21. 06. 2018 “Për pagesën e detyrimeve të prapambetura në favor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)”
Kryerjen e pagesës për aksionet e nënshkruara (paid-in) dhe të pa paguara nga shteti shqiptar, të periudhës 1991–1998, në favor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Shuma prej 1 288 348,27 (një milion e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e dyzet e tetë presje njëzet e shtatë) USD paguhet nga buxheti i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me një këst, brenda vitit 2018.
Shpallur me Dekret Nr. 10820, datë 28.6.2018 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta/Pamfleti