Vdekja e Shkëlzen Qordjes në ambientet e Gardës së Republikës vazhdon të jetë e mbuluar me mister, pasi ende nuk ka një përgjigje për arsyet e asaj që ndodhi, mëngjesin e të shtunës.
Grupi hetimor nuk ka të zbardhura disa detaje që do të konfirmojë dyshimin kryesore për këtë ngjarje të konsideruar si vetëvrasje.
Nga këqyrja e tabulateve telefonikë mësohet se 31-vjeçari i ka dërguar një mesazh të shkurtër nënës së tij para ngjarjes ku i kërkon falje.
Ky komunikim sipas hetuesve konfirmon dyshimet e tyre se Qordja ka qëlluar mbi veten, shkruan Tv Klan.
Grupi hetimor ka sekuestruar telefonin e viktimës për të verifikuar të gjitha komunikimet qe ai ka pasur para se të gjendej i pajetë.
Në pyetje gjatë dy ditëve të fundit janë marrë disa oficerë të gardës që kanë qenë me shërbim ditën e ngjarjes.
Sipas tyre ata nuk kanë venë re asgjë të pazakonte tek kolegu i tyre, duke sqaruar se nuk u kishte shprehur asnjë problem.
Paraprakisht mësohet se Qordja ka humbur jetën për shkak të një plumbi në anën e djathtë të kokës, ku edhe iu gjet arma automatike e llojit MP5.
Në sedilje u gjetën 3 gëzhoja, por sipas policisë, vetëm një plumb ka shkaktuar vdekjen e gardistit.
Një tjetër detaj i rëndësishëm për hetuesit janë këqyrja e kamerave të sigurisë.