Blerim Destani është një nga aktorët më të njohur, me filmat “Koha e kometës” dhe “Dosja K” dhe i vetmi artist në familjen e tij e cila përbëhet nëna, babai dhe dy vëllezër biznesmenë të pasur. Njëri prej vëllezërve të Blerimit, Nazif Destani është cilësuar si shqiptari më i pasur në botë dhe sipas “Forbes”, pasuria e tij shkon mbi 3 miliardë dollarë.
Nazif Destani është truri i sipërmarrjeve të familjes Destani që numëron biznese të suksesshme në 39 shtete të botës, që veprojnë në sektorin e shërbimeve, inxhinierisë dhe ndërtimit, energjetikës e logjistikës dhe shtrihen në Gjermani, SHBA, Zvicër, Dubai, Turqi, Maqedoni, Liban, Kuvajt, Rusi, Mongoli dhe Kinë.
Babai i tre djemve, Lazim Destani është me prejardhje nga Malësia e Sharrit të Tetovës. Ai është një biznesmen i suksesshëm dhe një filantrop i vërtetë. Që në fillimet e karrierës së tij të biznesit, Lazim Destani u ka ardhur në ndihmë personave në nevojë dhe e ka ndarë një pjesë të fitimeve për qëllime bamirësie.
Familja Destani ka në pronësi edhe klubin futbollistik “Shkëndija” që administrohet nga Lazimi të cilin mediat italiane dhe europiane e kanë quajtur “Bosi i madh i Shkëndijes së vogël” dhe shkruajnë se pasuria e tij mund të krahasohet me atë të ish-pronarit të Milanit, Berlusconit.
Sipas mediave italiane pasuria e Destanit mund të arrijë deri në 6 miliardë euro, duke konkurruar kështu Berlusconin dhe duke ia kaluar pronarit aktual të AC Milanit, kinezi Yonghong Li, pasuria e të cilit vlerësohet në 500 milionë dollarë.