Aktori i njohur, Artan Imami ka reaguar lidhur me debatin për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.
Ai ka sqaruar të vërtetën e “firmës” së Pirro Manit, krahas 64 aktorëve të tjerë, në letrën e hapur drejtuar krerëve më të lartë të shtetit.
Imami thotë se ai ka kontaktuar në telefon me aktorin e njohur dhe ka marrë konfirmimin për shëmbjen e teatrit.
Lidhur me këtë, ai garanton se diponon tabulatet telefonike.
Ndër të tjera ai thotë:
“Për vazhdimin e letrës së hapur të drejtuar disa personazheve (me emër të keq) që emrin ua mësuam kohët e fundit:
Së pari, dua të nënvizoj se titujt te “Panorama”: “Shembja” e teatrit një ngjarje e gëzuar” është një titull në kundërshtim me emocionet e mia më të sinqerta (mjafton t’ju kujtoj se 25 vite të jetës sime janë të lidhura me atë teatër).
Duke lënë menjëanë modestinë, do të kisha qenë i gëzuar për shembjene atij teatri, nëse ajo skenë do të më kishte dhënë dështime, hidhërime dhe duartokitje thjesht nga mirësjellja.
Por e kundërta ka ndodhur. Aty kam marrë dhe kam ndarë me kolegët që e meritonin momentet më të gëzueshme që gjithkush i meriton, pas një pune serioze.
Nëse në atë skenë, nuk do të kisha këtë lidhje të forte, do isha larguar që në vitet ‘90 prej saj dhe Shqipërisë. Është ajo skenë që më ka dhënë emër e mbiemër, më ka dhënë krenari.
Unë do të jem nga ata që do të derdh lot dhimbje, të përziera me një mendim të thjeshtë, kur shembja të ndodhë dhe të nisë ndërtimi i ri.
Një pjesë shumë e dashur imja ikën bashkë me atë godinë por ndërtimi i godinës së re në atë tokë që nuk guxon ta shkelë askush tjetër për qëllime përfitmi përveçse nesh për qëllime më sublime do të ndërtohet.
I kërkoj ndjesë lexuesit për këto fjalë paksa patetike por ajo që unë them është se ndërtimi i Teatrit të ri kombëtar është një ngjarje e gëzueshme.Në atë vend duhet të kuptojmë se nuk do të varroset ajo çka e gjalë do ngelet në mendjet e zemrat tona.
Dua të sqaroj publikun se çfarë ka thënë Edi Rama për mua nuk është se e ka thënë Zoti por e vërteta është se ai nuk e ka thënë ndonëjherë këtë gjë.Batuta e lezetshme i takon autorësisë së Çim Dajës, i cili për të nënvizuar pak protagonizmin tim të tepruar apo edhe vetë shkëlqimin që kisha thoshte: “Ti e thua batutën në skenë dhe do të jesh njëkohësisht edhe në fund të sallës që ta dëgjosh; po e bo si ata lojtarët që gjuajnë kornen vetë dhe duan të vrapojnë ta bëjnë po vetë golin me top”.
Pas botimit të librit të tij e takova një ditë rastësisht Lubonjën para restorantit tim dhe më thotë që kishet shkruar një libër ku më përmendte dhe mua dhe konkretisht se Edi Rama thoshte që unë kam vetëm zë.
Me humor ia ktheva që kjo nuk më mërziste se librin e tij nuk do e lexonte askush dhe pastaj e ftova për drekë e ndërkohë që hanim e pinim i tregova të vërtetën në lidhje me këtë batutë.
Por Patosi që nuk harron asgjë, vazhdoi edhe këto ditë të këmbëngulë siç vetëm kokëshkëmbinjtë, kokëshkretët mund të bëjnë, të shkruajnë të njëjtën gjë. Jo se kjo më shqetëon por qëllimi fyes më nxeh.
Në lidhje me akuzat që më janë bërë se kemi falsifikuar format e Pirro e Pavlina Manit sqaroj publikun se deklarimet në publik në lidhje me teatrin e ri në të njëjtin vend, z Pirro Mani (me të cilin biseduam në telefon dhe mund t’ua vërtetoj në tabulatet telefonike ) i mbështeti plotësisht.
Këtë gjë e ka bërë edhe shumë herë të tjera, dëshmitarë kemi qenë vetë apo në dokumente e shkruara edhe në process-verbalet e mbledhjeve kur është diskutuar për këtë çështje.
Aprovimin e tij për ta bërë emrin e tij publik e kemi ne si dëshmitarë që folëm me të, me Pavlinën nuk arritëm do të komunikonim, dhe prandaj emri i saj nuk ishte në listë.
Në atë listë gjithashtu nuk ndodheshin edhe shumë personalitete të tjerë të cilët publikisht e qartësisht e kanë shprehur mendimin e tyre pro ngritjes së TK në të njëjtin vend.
Refuzimi i tyre ishte mëse normal në këtë situate, ku çdo emër fyhet e përbaltet thjesht e vetëm se ka shprehur një mendim. Këtë gjë e vërteton edhe heshtja e “investigatorëve babalakë” që kanë bezdisur çdo person të asaj liste me pyetje.
Po të vini re, asnjë prej njerëzve që është në atë listë nuk ka përdorur sharje, fyerje, qesëndi për ata që mendojnë ndryshe; e kundërta ka ndodhur nga pala tjetër.
I vetmi që mori iniciativën për tu futur në këtë valle, ku do, s’do, ndonjë stërkalë balte të bën pis isha unë.
Dhe i them kujtdo që do të vijojë të zërë emrin tim, duke u bërë ushtar dëshmor i politikës, se nuk do bëjë gjë tjetër veç se do të turpërohet. Me respektin më të thellë për publikun, Artan Imami!”, përfundon letrën Imami.