Fasadat e pajeta dhe ngjyrë gri të qytetit janë kthyer në vepra arti, duke e kthyer Tiranën në një nga destinacionet më të rëndësishme murale për turizmin në rajon. Artistë nga e gjithë Europa dhe jo vetëm, patën mundësinë të njihen me Tiranën dhe me punimet e tyre murale të lënë gjurmë në hapësirat urbane të qytetit. Sipas njoftimit të Bashkisë së Tiranës, kryetari Erion Veliaj, u njoh nga afër me punët e realizuara nga artistët në disa rrugë të ndryshme të kryeqytetit, çka i ka dhënë Tiranës një shpërthim ngjyrash.
Duke falenderuar artistët e ardhur nga 15 vende të ndryshme të botës, Veliaj e cilësoi fantastike këtë eksperiencë që i jep më shumë ngjyra qytetit. “Këta artistë fantastikë na kanë ndihmuar me artin e rrugës në Tiranë, kanë bërë grafiti, kanë dhënë mesazhe politike, disa herë radikale, disa herë provokuese. Tirana ka pasur një traditë shumë të mirë nga vitet 2000- 2011, në kohën e Edi Ramës, ku ngjyrosja e pallateve, lyerja e tyre me ngjyra, përcjell diçka ndryshe nga grija që kemi trashëguar, nga koha e Luftës së Ftohtë dhe gjithë trashëgimia sovjetike e komuniste, për t’i dhënë ngjyrë qytetit. Ka qenë një eksperiencë fantastike, po e ringjallim atë përvojë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku veçoi se kjo nismë do të kthehet në një traditë të re për kryeqytetin, që Tirana të ruajë reputacionin e qytetit të ngjyrave, si një kartolinë fantastike e Shqipërisë evropiane. “Shumë prej fasadave me artistë shqiptarë e të huaj, i kanë dhënë qytetit më shumë shije. Minimalisht do të kemi më pak ndotje estetike, por do kemi edhe një bisedë të re që do të nisë me provokimet artistike. Jam këtu që t’i falenderoj me gjithë zemër, që na kanë nderuar, dhe besoj se kemi filluar një traditë të cilën do ta përsëritim çdo vit, me artistët tanë, për t’u siguruar që Tirana e ruan reputacionin si qyteti i ngjyrave”, theksoi Veliaj.
Një prej artisteve pjesëmarrëse në këtë festival ngjyrash ishte edhe Noel Gazzano nga Italia, e cila theksoi se ka qenë një bujari e madhe nga ana e Tiranës që dhuroi hapësirat e saj për artistët. Gazzano është e mendimit se kjo nismë ka shumë vlera pasi përçon artin dhe njëkohësisht krijon një urë ndërmjet institucioneve, botës së artit bashkëkohor dhe njerëzve.
“Gjëja më e bukur e kësaj eksperience është se ndërsa pikturoja për tre ditë, me qindra njerëz ndalonin, disa fëmijë donin të pikturonin me mua dhe të gjithë më falenderuan. Jam ndierë vërtet e mirëpritur”, u shpreh artistja italiane, Noel Gazzano.
“MuralFest Tirana 2018”, lindi si fryt i bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe laboratorit italian 167/B Street nga Leçe. Përmes këtij projekti bashkia synon të promovojë artin mural në hapësira të ndryshme publike ku fasadat e ndryshme të qytetit shërbejnë si kanavacë dhe galeri për artistët.
Veprat murale nëpër qytetet kryesore të botës si Berlin, Londër, Vankuver etj janë kthyer në një instrument tërheqës për rritjen e turizmit dhe njëkohësisht kanë ndikuar në përmirësimin e mjaft problematikave ekonomike, mjedisore dhe sociale me të cilat ballafaqohen sot qendrat urbane.