Para disa kohësh biznesmeni Besnik Sulaj në një lidhje me telefonike në emisionin “Opinion” është munduar të shpjegojë situatën ku ndodhet kompania, por mes shifrave çështja është bërë edhe më e ngatërruar.
Biznesmeni i përmendur shpesh nga opozita, si i lidhur me kryeministrin Rama, këmbënguli se kompania e vëllait të tij, IRTC që ka në administrim rafinerinë nga viti 2016 ka paguar të gjitha taksat dhe detyrimet.
“Unë e njoh historinë e ARMO-s të paktën nga viti 2013. Nuk besoj që mungojnë 704 milionë. Në atë kohë ARMO ka pasur vetëm 20 milion dollarë borxhe në tatime. Në 2013 kur kanë ardhur azerët e kanë gjetur kompaninë me rreth 20 milion dollarë borxh. Unë edhe i kam takuar dhe kanë qenë investitorë shumë seriozë. Ata pyetën në tatime, paguan 10 milion dollarë dhe ARMO mbeti pa asnjë lloj borxhi. Më pas shteti shqiptar u vuri një gjobë 100 milion dollarë. Me këtë 100 milion dollarë falimenton kushdo që të jetë”, tha Sulaj.
Pyetja që iu bë nga studio ishte a ka kompania e tij IRTC rreth 55 milion euro detyrime fiskale të papaguara në tatime, por Sulaj e mohoi.
“E keni gabim. Kompania nuk është paguar dhe nuk ka 70 milion dollarë detyrime. Ka rreth 25 milion euro të papaguara. Ato që flitet aty janë të pavërteta”, tha biznesmeni.
“IRTC e ka marrë në 2016-ën, por duhet të kuptojmë të gjithë se rafineritë janë si puna e mullirit, po s’pate grurë s’ke çfarë ta duash mullirin. Është hapur një rafineri tjetër në Elbasan nga kompania Isvor dhe është teknologji e fundit ka vetëm 20 punëtorë”, tha Sulaj që më pas u hodh në kundërsulm.
Fillimisht akuzoi ish-zv.ministrin Gjergji Bojaxhiu dhe më pas ish-kreun e AKBN-së Besian Pesha.
“Gjergj Bojaxhiu së bashku me Ardian Xhillarin kanë bërë piramidën më të madhe në Shqipëri ndërsa Besian Pesha kur ka qenë në komisionin e AKBN-së ka qenë te Albpetroli dhe i ka kërkuar një mikut tim nga Fieri 200 mijë euro”– tha Sulaj, por të dy i mohuan akuzat nga studio.
Bojaxhi, i cili ka qenë në postin e zv/ministrit në vitet 2005-2007, ishte i pranishëm në studio dhe mohoi akuzat e biznesmenit.
Sa i përket Adrian Xhillarit, ai u ndalua në nëntor të 2017-ës në Zvicër pasi ndodhej në kërkim nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2015, për shkak se akuzohet se ka shitur 4.4 milionë litra naftë të papërpunuar “virxhin” duke shmangur akcizën.
Tejet e pakuptueshme është sjellja e prokurorisë, kur bëhen denoncime publike, e cila mjaftohet me ato që deklarojnë të akuzuarit, që natyrisht nuk janë çmendur që të pranojnë krimin e kryer.