Gjykata e Tiranës i kërkon policisë të njoftojë ish-kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Roshi, të paraqitet në seancë gjyqësore, aty ku Prokuroria e akuzon për falsifikim vulash, stampash e formularësh.
Ditën e enjte, ora 10:00, gjyqtarja Oltiona Goxhaj kishte planifikuar seancën ndaj ish-kryebashkiakut, por aty nuk u paraqit as Roshi dhe as avokatët e tij.
Kjo është bërë shkak për shtyrjen e seancës, ndërsa pritet që gjyqi të rinisë më 11 korrik, ora 10:00. Roshi është marrë i pandehur me dyshimin se falsifikoi formularin e vetëdeklarimit për efekt të ligjit të dekriminalizimit.
E për të pasur Roshin apo avokatët e tij në seancë gjyqtarja Goxhaj “vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit me qëllim njoftimin e të pandehurit Elvis Roshi nëpërmjet Komisariatit të Policisë Kavajë, si dhe për të bërë të mundur prezencën e mbrojtësve të zgjedhur nga i pandehuri, avokatët Maksim Haxhia dhe Drilon Cani”, shkruhet në dispozitivin e seancës siguruar nga Report Tv.