FEJTON/ Letër bashkëfshatarit
O Like, o babuç, po si të kam o vëlla, si më je o flori, ça ke bërë ore shejtan, se na ke harruar fare o t’u mbylltë, u bëre firar, o mos të shkoftë syri keq!
Po të kam shpirt ore rrufjan, të kam zemër, të kam flori, ti dhe Sazan Guri jeni “bekri” (dredharakë) në zonën tonë, ju e keni nderuar fshatin tonë, që ju do aq shumë dhe betohet për ju “Rrofshi sa mali Tomorrit”, apo nuk ke lindur edhe më 24 mars-ditën e Novruzit.
O babuç, o flori, nuk të dua për vend pune në presidencë, se edhe një Komi që kishim atje (Kozam Dushi) e hoqe dhe ke futur ata që nuk të bëjnë për të qeshur, por për të qarë..
O Flori, o babauç, dua të takoj si vëlla, se po më djeg malli për ty, po më kalbet xhani për ty, por dhe për të bërë ndonjë punë nga ato që di ti, se na plasi shpirti nga varfëria, se që ta dish ti Like vëllai, këtej nga ne leku është shpallur në kërkim, nuk jemi si puna jote, që po të kërkon leku.
Kur më thanë, se do kaloje herën e fundit këtej nga zona jonë, porosita Tofikun, atë mikun tënd polic rrugor në Berat, që të sjell mishin, verën, arrat, reçelnat dhe qershitë në Tiranë, por ai më tha se nuk kishe kohë të ktheheshe, ngaqë kishit një “takim pune” ti, Bajrami i Fondit “Besa” dhe ata të TAP-it, që po punojnë në Skrapar.
O babuç, o flori, o bekri, a e di pse po ta dërgoj këtë letër?
Jo, nuk e di, le që ku e ke mendjen tek letrat e mia, ty të zjen koka për hallet e popullit, të ka helumar shytrja e datës së negociatave, të pashë në televizor, dukeshe i “vrarë” në fytyrë!
Po ta them ashiqare o babuç, fshatçe siç flasim ne nga Skrapari, ose me “transparencë brilante”, siç thotë Mona, nusja jonë që sikur na e solli si me porosi drit-ploti i bekuar “Abaz Aliu” e që na ka ndritur gjithë zonën dhe na ka mbajtur lart nderin e fshatit.
Të kam parë e dëgjuar në televizor, që je llafosur me aktorët dhe u ke dalë në krahë, tamam si burrat, për të mos lejuar prishjen e Teatrit, jo atë teatrin tonë në Berat që e ka dhënë Nasip Naço me qira, por teatrin e Tiranës.
O babauç, o flori, besoj se e dëgjove haberin, që artistët që u takuan me ty, ranë dakort me bashkinë dhe qeverinë, për ta shembur teatrin e vjetër! Meqë puna shkoi kështu si punë teatri, po munde, gjeje terezinë siç di ta gjesh ti dhe ulu e fol fshatçe me Ramën, Salën e Lulin, që ato eurot e Durrësit të mos “humbasin”, të mos “përmbyten” nga shirrat në depot e policisë, ose të mos dalin “fallco”, por të hidhen për ndërtimin e teatrit të ri. Kaq kisha o babuç, mos harro ore shejtan, bëhu të fala të gjithëve o flori, o tu bëfsha unë o Likja ynë president!/Pamfleti