Heshtja e “Radiostacionit digjital”
Mbrëmjen e të enjtes datë 21 qershor 2018, vetëm pak orë pasi Lulzim Basha në parlament, bëri denoncimin paraprak të trafikut të 1.5 milionë eurove nga Belgjika në Shqipëri, “armiku” i parave të pista, trafiqeve dhe korrupsionit Sali Berisha, shkoi për “pushim” në vilën e kunatit në Gjirin e Lalzit, ku sipas rojeve të tij, kishte vendosur të kalonte 15 ditë relaksim në bregdet.
Prej 48 orësh në bjeshkë, Saliu që ulërin e shkul parlamentin dhe mediat edhe kur teshtijnë qentë e rrugës, nuk po thotë asnjë fjalë për trafikun e eurove të kapura në Durrës, megjithëse denoncimi paralajmërues është meritë zbuluese e kreut të PD-Lulit?! Përse qysh prej ditës, kur janë kapur 3.4 milionë euro kontrabandë, “Radiostacioni digjital” Sali Berisha po hesht, nuk po transmeton më asnjë denoncim nga “Qytetari digjital”, apo në bjeshkët ku ka shkuar të takoj vëllezërit tropojanë, nuk “ka valë”.
Përse vetëm 2 orë, pas orës 07.00 të kapjes së 3.4 milionë eurove në Durrës, “armiku i betuar” i krimit ekonomik-financiar dhe trafiqeve Sali Berisha la vilën e kunatit në Lalz afër Durrësit, apo ngaqë “ca miq në SHISH” e njoftuan, se me ata të eurove është i përzier edhe Zeni, si “porositës” i njerëz prej makinave “Toyota” me rastin e dasmës?
Përse pikërisht, ditën që doli trajleri me euro nga deti, Saliu braktisi detin dhe “mori malet” e po qëndron në shpella, i shoqëruar nga familja dhe nën përkujdesjen e disa demokratëve “qendrestarë”, duke iu larguar “ngatërrestarëve” të eurove, por edhe dashakeqëve që i “fryjnë zjarrit” të dosjes së Azemit, Remzi Hoxhës e Hajdin Sejdisë?/Pamfleti/