Samir Mane, njëri nga biznesmenët më të pasur në Shqipëri, ka qenë i ftuar disa herë nëpër emisione televizive, herë si “bamirës” dhe herë si biznesmen i suksesshëm, por pa na treguar asnjëherë “burimin” e suksesit të tij. Gjatë intervistave, ai gjithmonë ngurron të flasë për fitimet e tij, pasi sipas tij, kushdo mund të futet në faqen e internetit të QKB-së, për të parë fitimet e kompanive që zotëron:
“Rreth 10 milion euro nga ndërtimet, 8 milion euro nga Mane TCI, 7 milion euro nga Albcrom, 2.7 milion euro NEPTUN, e të tjera kompani me më pak para”, tregon në burim i gazetarit tonë.
Por, nëse dikush e pyet, nëse politika e ka ndihmuar?! Përgjigja e biznesmenit është jo!
“Politika nuk më ndihmon fare. Unë shes televizorë. Nuk më duhet politika për të shitur lavatriçe tek Neptun dhe lodra tek Xhambo. Ndodh që në vendet ish komuniste, fitimi quhet i pamoralshëm dhe do duhet shumë kohë që ky mentalitet të ndryshojë. Njerëzit duhet ta dinë që ne jemi njerëz normalë, që kemi riskuar investimin tonë dhe kemi fituar”, ka thënë Mane.
“Po tek ndërtimi, a hyn politika?”, ishte një pyetje drejtuar atij kohë më parë. Përgjigja kësaj radhe ishte më e drejtpërdrejtë nga njeriu më i pasur në Shqipëri.
“Nëse në gjithë botën hyn, hyn edhe në Shqipëri. Në gjithe globin thonë, ca godina të behen 5 katëshe, ca 15 katëshe. Diskutimet janë kudo”, u shpreh Mane, duke sqaruar se mbështetja politike nuk është gjithçka.
“Njerëzit pasurohen për shkak të riksut që merr në investim dhe për shkak të meritave. Në 200 vjet tregti njerëzit më shumë kanë humbur se kanë fituar. Kur bëra QTU për herë të parë, 99% e njerëzve nuk besonin se nuk do funksiononte. As prindërit e mi nuk donin. Pse do blejne domate të QTU kur i kanë te lagjia? Por unë aty hodha thuajse gjithe pasurinë time, tek QTU, dhe fitova.”
Samir Mane nuk ndjehet një oligark. Termi që përdoret gjithmonë e më shpesh në jetën publike nuk ka vend në Shqipëri, sipas tij.
“Nuk mendoj se ka oligarkë në Ballkan dhe në Europë. Ka në Rusi dhe në Korenë e Veriut. Oligark unë do të isha nëse shteti do të bënte një ligj, që vetëm unë të shes televizor.”, tha Mane./Ekskluzive.al