Vendimi i Bashkimit Europian për çeljen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë në qershor të vitit të ardhshëm është pritur me entuziazëm në Shkup nga autoritetet qeveritare dhe shumica e partive politike. Shkupi pranon se bëhet fjalë për një datë të kushtëzuar. Qeveria thotë se BE e vlerësoi Maqedoninë për ndryshimet pozitive dhe proces dinamik të reformave.
Ndërkohë, Brukseli pret që brenda 12 muajve autoritetet maqedonase të angazhohen me ngulm në reformat në drejtësi, administratën publike dhe zbatimin e marrëveshjes për ndryshimin e emrit të vendit dhe po ashtu në lufën kundër korrupsionit. BE-ja dëshiron të shohë autoritetet gjyqësore në Shkup të ngrejnë akuza ndaj zyrtarëve të lartë për korrupsion.
Kryeministri Zoran Zaev thotë se vendimi i Këshillit të Ministrave evropianë është tërësisht sipas pritjeve të qeverisë së tij, ndërsa nuk fshehu gëzimin për këtë.
“Jemi të lumtur dhe të motivuar më tej,” tha kryeministri maqedonas duke falënderuar të gjitha vendete anëtare të Bashkimit Evropian dhe në veçanti vendet fqinje Bullgarinë dhe Greqinë për siç tha, diskutimet e frytshme dhe për përpjeket për vendimin e dëshiruar nga Maqedonia dhe Shqipëria.
Ai tha se Maqedonia që nga pavarësia e saj ka punuar për integrimin në BE dhe NATO.
“Fillimi i bisedimeve për anëtarësim në qershor 2019 për ne do të thotë një udhërrëfyes i qartë për të ardhmen e shtetit tonë dhe përparim në aspektin e integrimeve tona evropiane”, tha Zaev.
Ndërkohë,, drejtuesi opozitar maqedonas është shprehur se “qeveria nuk ka kapacitet t’i përmbushë kushtet për fillimin e bisedimeve dhe se nuk mund të hapen portat e BE-së e të shpalleni nga ana tjetër si vendi më i korruptuar”. Hristian Mickovski i VMRO-DPMNE-së kritikon qeverinë se nuk mori një rekomandim të pastër për të filluar menjëherë bisedimet “siç thoshte kryeminstri Zaev, por me kushte”, theksoi ai në një konferencë për media.
Partia konservatore, ndërkaq vazhdon ta kundërshtojë marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, siç ka bërë edhe presidenti Gjorgje Ivanov, sjelljet e të cilëve mund ta zvarrisin procesin, sipas analistëve por nuk do ta sprapsin vendin nga rruga e integrimeve euro-atlantike.
Edhe Aleanca për Shqiptarët thotë se “nuk ka një datë për hapjen e negociatave për Maqedoninë dhe se LSDM-ja dhe BDI-ja po gënjen opinionin publik”.
Shkupi e ka të qartë se është shpërblyer nga Brukseli me vendimin e djeshëm për ritmin e reformave pas ardhjes në pushtet të qeverisë para një viti, ndërkaq nuk mungon nga ana tjetër, euro-skepticizmi tek faktorë të tjerë të cilët kishin pritur fillimin e shpejtë të bisedimeve me BE-në.
Maqedonia ka marrë statusin vend kanidat për anëtarësim në BE qysh në dhjetor të vitit 2005, por për shkak të kundërshtimeve të njohura greke dhe krizave të shpeshta të brendshme – nuk ka mundur të shënojë përparim në rrugën drejt Evropës.(VOA)