Roko Vata ka bërë lëvizjen e duhur. Djali i ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare Rudi Vata po quhet “djaloshi i mrekullive” pasi po mahnit “Championship”-in”, (kategoria e dytë angleze).
Roko, vetëm 19 vjeç, ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 3 asiste deri tani me skuadrën e Uotfordit. Mbrëmjen e së martës, ai shënoi një supergol, që nuk ishte i pari nga jashtë zone për 19-vjeçarin me klubin anglez. Dhe pse skuadra e tij humbi 1-2 përballë Preston, Vata tregoi aftësitë e tij. Sulmuesi shqiptar shënoi një supergol në minutën e 90-të, ndërsa nuk kishte mbetur shumë kohë për të shmangur humbjen.
Faqja e kampionatit anglez shpërndau pikërisht golin e talentit shqiptar, që nuk ka nevojë për koment. Duke përfshirë edhe Kupën, Roko ka luajtur gjithsej në 22 ndeshje. Fillimisht si zëvendësues, ndërkohë në ndeshjet e fundit mesa duket ai ka fituar një vend titullari. Por, paraqitjet e tij nuk kanë si të mos vihen re në Angli. “Panorama Sport” mëson se Roko Vata është në monitorimin e skautëve të Mançester Junaitid.
Skautët e gjigandëve anglezë e kanë ndjekur nga afër ndeshjen me Fullhemit me Uotfordin, teksa Roko shënoi një supergol nga distanca. Që nga ai moment, Vata është duke u ndjekur sesi do të vijojë ecuria e tij, teksa për momentin po shkëlqen në Championship. Ndërkohë, familjarët e tij, kryesisht babai Rudi, është i mendimit se djali i tij duhet të luajë sa më shumë, të forcohet sepse është ende herët për të bërë hapin e madh.
Roko Vata përfaqëson kombëtaren e Irlandës me moshat. Talenti shqiptar ka luajtur për të gjitha grupmoshat, nga U-15, 17, 19 dhe së fundmi 21. Me paraqitjet e fundit dhe me perspektivën që ka, nuk është e largët dita kur ai të marrë një ftesë nga kombëtarja A e Irlandës, ndërkohë që nga ana tjetër, drejtoria teknike në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk ka bërë asnjë lëvizje për të. Rudi Vata është shprehur se asnjë ftesë nuk ka mbërritur më herët për të, ndërkaq pritet të shihet se çfarë do të ndodhë në vijim, pasi Roko është një “xhevahir” që nuk duhet lënë i lirë.